Lajme

“Arrestimi i shtetasve të Kosovës në Serbi”, Haxhiu: Ndërkombëtarët të bëjnë presion të ndalen veprimet e tilla

06/13/2024 12:41
nga:G B

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se lirimi i qytetarëve të Kosovës të arrestuar në Serbi nuk varet nga qeveria e Kosovës.

Ajo ka kërkuar ndihmën e partnereve ndërkombëtarë që të shtojnë presionin ndaj Serbisë që e njëjta të ndalojë veprimet e tilla dhe t’i lirojë të arrestuarit.

Ajo ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme përmes zyrës saj është në komunikim të vazhdueshëm me të arrestuarit dhe familjarët e tyre.

“Ministria e Punëve të Jashtme përmes zyrës atje ka qenë në komunikim te vazhdueshëm me ta por edhe me familjet e tyre. Është politikë e qëllimshme e Serbisë drejt qytetareve tanë. Andaj ne si institucione kemi qenë në komunikim, se a do të lirohen a jo, kjo nuk varet nga qeveria e Kosovës. Si ne te kaluarën dhe tani në vazhdimësi kemi veprime te tilla, kërkoj nga partnerët tanë te bëjnë presion ndaj Serbisë ti ndaloj veprimet e tilla”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka bërë arrestime për motive politike, por vetëm ka arrestuar persona që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

“Nuk kemi bërë arrestime për motive politike, por për krimet që i kanë kryer gjatë luftës, ndërkombëtarët ti thonë hapur me zë të lartë Serbisë që të ndalojë këto veprime”, ka theksuar Haxhiu.

Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Për institucionet e Kosovës, ndalimet nën dyshime të tilla në Serbi janë arbitrare dhe të padrejta teksa kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.