Lajme

Arrestimi i 13 personave në Isniq të Deçanit, Prokuroria pritet të parashtrojë kërkesën për paraburgim

08/18/2025 10:38
nga:G B

13 persona u arrestuan të dielën në Isniq të Deçanit gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë.

Gjatë këtij aksioni, që u udhëhoq nga kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, autoritetet sekuestruan rreth 17 mijë euro, një armë zjarri, shufra metalike, thika, si dhe prova materiale shtesë që lidhen me veprën penale të dyshuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për Telegrafin bëri të ditur se ndaj të arrestuarve pritet të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 13 personave që janë arrestuar dhe ndaluar”, tha Nikçi.

Ai po ashtu njoftoi se tashmë është marrë vendim për hapjen e hetimeve për veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.

Ndryshe edhe policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar rreth këtij rasti, ku thuhet se personat e arrestuar ishin kapur në flagrancë duke luajtur bixhoz.

“Njësitet policore në koordinim me gjykatën kompetente dhe prokurorinë themelore, kanë arrestuar trembëdhjetë (13) të dyshuar kosovarë, pasi të njëjtit në një lokal janë kapur në flagrancë duke luajtur bixhoz. Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit janë konfiskuar vlera monetare të ndryshme, ndërsa tek njëri nga të dyshuarit, gjatë kontrollit në veturë i është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë me 8-fishekë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njofton policia.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa provat e sekuestruara do të përdoren në procedurën penale.