Lajme

Arrestimet për dallavere me subvencione, këta janë emrat

06/29/2022 23:32
nga:G C

11 persona, 3 zyrtarë komunash dhe 8 përfitues subvencionesh kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pas një aksioni në gjashtë komuna të vendit.

Aksioni është zhvilluar në Pejë, Istog, Deçan, Viti , Suharekë dhe Ferizaj, dhe për 11 të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Gazeta Insajderi ka mësuar se disa prej personave të arrestuar në këtë aksion, janë Liridon Fandaj, Artan Elezi, Hysni Morina dhe Afrim Mehmetaj.

Ndërkohë që është raportuar se njëri prej të arrestuarve në këtë aksion është asambleist i Lëvizjes Vetëvendosje, Liridon Fandaj, i cili në profilin e tij në Facebook ka postime dhe fotografi të shumta të aktiviteteve si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Të arrestuarit gjatë këtij aksioni dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’.

Nën dyshimin për keqpërdorime në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, operacioni u zhvillua në Pejë, Istog, Deçan, Viti Suharekë dhe Ferizaj.