Prokruroia Themelore në Pejë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tre zyrtarëve në Komunën e Istogut të cilët u arrestuan më 15 korrik 2021, pas një aksioni të Policisë së Kosovës.
Prokuroria e Pejës ka njoftuar se masa e arrestit shtëpiak është caktuar ndaj J.B, RR.G dhe R.B për shkak të dyshimit për vepër penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar , ndërsa E.B është liruar që të mbrohet në liri.
“Të pandehurit J.B, RR.G dhe R.B, me datat 16.10.2020, 28.09.2020 e gjerë me datën 04.11.2020 si dhe me datë 14.12.2020 në objektin e K.I, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri J në cilësinë e drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis, ndërsa të pandehurit RR dhe R, në cilësi te zyrtarëve pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim si dhe Planin Zhvillimor Komunal lëshojnë lejen ndërtimore për ndërtim, në atë mënyrë që të pandehurit duke qenë në dijeni se ngastra kadastrale për të cilën është parashtruar kërkesa për dhënien e lejes ndërtimore nga investitorët ndodhen në bllokun ku sipas planit zhvillimor është paraparë ndërtimi me etazhitet të caktuar, me rastin e lëshimit te lejes ndërtimore konstatojnë se kinse ngastrat kadastrale ndodhen në bllokun tjetër dhe me këtë veprim investitorëve i’u lejojnë ndërtimin me etazhitet më të lartë dhe i’a mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Pejës.
Në njoftimin thuhet se ata në bashkëveprim kanë kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
|Të pandehurve J.B, RR.G dhe R.B gjykata, iu caktoj masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji duke vlerësuar se është masë e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë meqë, veprat penale janë kryer në bashkëkryerje dhe në këtë fazë të procedurës ende janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit të provave të reja ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri gjykata vlerëson se të pandehurit lehtësisht mund të asgjësojnë, ndryshojnë apo fshehin provat e veprës penale me qëllim të shmangies apo zvogëlimit të përgjegjësisë së tyre penale apo edhe të koordinojnë mbrojtjen e tyre me njëri – tjetrin pasi që kanë qenë kolegë të punës dhe njihen mirë dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Gjykata refuzoi propozimin e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës E.B.
“E pandehura E.B me datë 21.9.2018, në objektin e K.I, në cilësi të personit zyrtar, zyrtare për Mjedis pranë Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis, merr pjesë personalisht në çështje zyrtare për të cilën e ka ditur se një anëtar i familjes së saj ka interes financiar, në atë mënyrë që, e pandehura si zyrtare për mjedis, subjektit ekonomik në të cilën bashkëpronar është kunati i të pandehurës, i’a lëshon dhe nënshkruan lejen mjedisore me te cilën investitorit i njihet e drejta e lejes mjedisore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor”.
Në njoftim thuhet se ajo kishte për të kryer veprën penale “Konflikti i Interesit”.
“Gjykata e refuzoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës E.B dhe e njëjta u lirua menjëherë që të mbrohet në liri meqë ka vlerësuar se prokuroria në kërkesën për caktim të paraburgimit vetëm ka parafrazuar dispozitën ligjore mbi të cilën e ka mbështetë kërkesën për caktim të paraburgimit dhe nuk e ka dhënë arsye logjike që do të mbështesnin ekzistimin e bazave të parapara me ligj për caktimin e masës së paraburgimit”.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.