Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë, për rritjen alarmante të rasteve me COVID.
“Kryeministër dhe ministër “rekordzi”, ku jeni? Gjendje alarmante! Për dhjetë ditë kemi 17.723 raste të reja me Covid-19. Po ashtu, 67 qytetarë kanë humbur jetën, në të njëjtën periudhë kohore, ndërkaq vetëm sot 17 prej tyre. Ndërsa, raste aktive kemi 20.467”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
“Krejt padrejtësisht qytetarët po i shihni si numra për vota, ndaj dhe e kemi këtë gjendje të vështirë. Mos harroni se po thyeni çdo rekord të zi të cilin vet e keni arritur. Mundohuni ta kuptoni një herë e mirë se qytetarët po i shndërroni në pacientë të shumtë nga dija juaj e paktë”, ka shtuar ish-ministri i Shëndetësisë.
Ai ka thënë se qytetarët kanë nevojë për kujdes, mbikëqyrje dhe ndihmë.
“Ata, familjarët e tyre dhe të gjithë e meritojnë të jetojnë, dhe atë shëndetshëm. Po shihet se menaxhimi i pandemisë nga ju ka qenë një frazë populliste dhe as që ka ekzistuar, ndaj dhe gjendja në tërësi ka degraduar”, ka vazhduar Zemaj.
“Kryeministër dhe ministër “rekordzi”, nuk e di se si mund t’iu zë gjumi! Dyshoj se mund të fleni rehat, e kundërta do të ishte tepër shqetësuese. Dorëheqja e parevokueshme e ministrit “rekordzi”, si pasojë e dështimit në menaxhimin e pandemisë Covid-19, është obligim, është përgjegjësi”, ka theksuar deputeti i LDK-së.
Ai në fund ka lutur qytetarët që të vaksinohen dhe t’i respektojnë rekomandimet e IKShPK-së, për mbajtjen e distancës, maskave dhe higjienës.