Portieri i Fushë Kosovës, Armend Rugji thotë se skuadra e tyre sivjet do jetë befasia e Superligës, pavarësisht se në opinion nuk po pritet shumë nga ta.
Fushë Kosova u rikthye në Superligë pas një dekade pritje, teksa tashmë janë duke u bërë gati për stinorin e ri që do jetë mjaft i rëndësishëm për ekipin simpatik.
Portieri Rugji thotë se përgatitjet po shkojnë siç është më së miri, teksa synimi është pjesa e epërme e tabelës.
“Fushë Kosova synon sivjet top pesë vendet e para në Superligë. Përgatitjet në Ohër po shkojnë shumë mirë dhe janë intensive. Do të jemi një arrë shumë e fortë në Superligë”, tha fillimisht Armend Rugji për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas Rugjit atmosfera në këtë ekip është shumë e mirë.
“Atmosfera në klub është shumë e mirë, puna po bëhet shumë mirë dhe mendoj se sivjet Fushë Kosova do të jetë befasia e ligës. Me lojë të mirë e me disiplinë do të jemi shembull në futbollin tonë bashkë me tifozët tanë “Pampurat” dhe trajnerin Burim Shala”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Fushë Kosova në xhiron e parë të sezonit do të luajë ndaj Gjilanit në 12 gusht.
/GazetaBlic Sport


