Komisioni i Verifikimit i Federatës Shqiptare të Futbollit ka zyrtarizuar këtë të enjte delegatët dhe kandidaturat për Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, e cila do të mbahet më 16 shkurt 2026.
Pas përfundimit të afatit zyrtar për depozitimin e kandidaturave, Komisioni zhvilloi mbledhjen e radhës, ku u shqyrtuan propozimet për postin e Presidentit, kandidatët për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, si dhe delegatët e propozuar nga anëtarët e federatës.
FSHF bën me dije përmes një njoftimi për mediat se gjatë procesit të verifikimit, Komisioni analizoi çdo kandidaturë në përputhje me kriteret statutore dhe ligjore, duke vlerësuar integritetin personal dhe përmbushjen e kërkesave të parashikuara në Rregulloren e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.
Në përfundim të verifikimit, u konstatua se 13 kandidatë për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv kanë siguruar dy propozimet e nevojshme nga anëtarët e Asamblesë dhe plotësojnë kushtet për të marrë pjesë në garën zgjedhore.
Ndërsa për postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit është regjistruar vetëm kandidatura e Armand Dukës, i propozuar nga 33 anëtarë të federatës, duke e bërë atë kandidatin e vetëm në këtë garë.

