Cult

Arllati: Poezia është mbretëreshë e arteve

03/21/2024 15:13
nga:N K

Sot është Dita Botërore e Poezisë. Me rastin e kësaj dite, e ftuar sot në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ishte Migena Arllati, poete, gjuhëtare, publiciste.

Ajo theksoi se nuk është koincidencë që sot është edhe Dita e Pranverës.

“Gjërat e bukura vijnë bashkë. Nuk është koincidencë që sot, në Ditën Botërore të Poezisë, nis pranvera, e cila sjell muzat, frymëzimet, inspirimet të cilat i duhen njeriut pas një stine të lodhshme e të gjatë sikurse është dimri. Shpërthimi individual, shpërthimi shpirtëror, më së shumti vihet re në art. Arti është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës, e mes arteve poezia është mbretëresha”, tha Arllati.

Ajo tha se poetëve u duhet dashuria që ua jep natyra, raportet njerëzore, raportet shpirtërore.

Sipas saj, të flasësh për poezinë është si të notosh në një oqean të pafund ku duhet të kesh aftësi dhe zotësi të mirë. “Poetët e mirë, që dinë ta ndërtojnë vargun, që i njohin metrikat e poezisë, ata dinë edhe ta sjellin bukur mesazhin”, shtoi ajo.

Sipas saj, poetë të mirë janë ata që më pak gjë krijojnë mesazh të fuqishëm dhe, po ashtu, poezia e mirë u mbijeton të gjitha kohëve./rtklive/