Sporti

Arlind Ajeti shpehet besimplotë: Kemi kualitet dhe do ia dalim ndaj çdokujt

10/07/2024 15:00
nga:Lorik J

Arlind Ajeti është thirrur për dy ndeshjet e radhës së Kombëtares kundrejt Çekisë dhe Gjeorgjisë. Ai po kalon një formë fantastike në Turqi tek skuadra e Bodrumspor. Ajeti është bërë pjesë edhe e formacionit më të mirë të javës së fundit duke i dhënë të drejtë Sylvinho-s që vazhdon t’a bëjë pjesë të listës.

Qendërmbrojtësi në konferencën për shtyp që doli ditën e sotme së bashku me Adrion Pajazitin ka theksuar vështirësinë e këtyre dy takimeve, por fokusin e ka vënë tek forma e mirë që po kalojnë të grumbulluarit dhe tek vetëbesimi që secili duhet të ketë. Ai shprehet optimist duke sqaruar se Shqipëria mund të dalë me pikë të plota nga të dy takimet sado e vështirë që duket.

“Është akoma herët për të fol për ekipin, kemi kualitet dhe mund t’ia dalim ndaj çdokujt, i dimë cilësitë e Çekisë me të cilën kemi luajtur 2 herë kundër, gjeorgjianët luajnë një futboll shumë të shpejtë dhe të shohim si do ia dalim.

Nuk kanë arrit akoma të gjithë lojtarët por me stafin që kemi do të përgatitemi, nuk do jetë e lehtë por shpresojmë t’i marrim 3 pikë Çekisë.

Më duket mirë superliga turke por nuk krahasohet me ndeshjet e Kombëtares dhe me ato në europian që kanë shumë emocione. Unë besoj që shumë herë s’kam qenë i ftuar prej lëndimeve ose prej klubit ku jam aktivizuar, por sa here kam luajtur e kam bërë me pasion dhe shpresojmë të kemi sa më shumë sukses. Çdo ndeshje do të jetë vendimtare, te shohim njëherë si do ia dalim me Çekinë e pastaj të mendojmë për Gjeorgjinë.

Gjimshiti do të jetë një mungesë e madhe për ne edhe si lojtar edhe si person në dhomat e zhveshjes. Nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi ka vetem të fitojë Kombëtarja. Besoj që ndeshjet e europianit japin një impakt të madh tek lojtarët dhe sjellin eksperiencë të madhe.

Shqipëria i ka cilësitë për të fituar të dy ndeshjet dhe mbi të gjitha duhet të besojmë që do t’ia dalim. Jam shumë i lumtur për formën e çdo lojtari të thirrur dhe konkurenca është e fortë. Në fund vendos trajneri për titullarët”, mbyll lideri kuqezi.