Asamblisti i Vetëvendosjes në Shtërpcë, Shpejtim Arifi, ka komentuar aksionin e sotëm të policisë dhe prokurorisë ku janë konfiskuar materiale e kamera ilegale në këtë komunë.
Ai tha se në pas mbylljes së komunës paralele në Shtërpcë, nuk janë mbyllur edhe objektet shëndetësore paralele dhe ato arsimore, pasi sipas tij, një gjë e tillë u lejohet serbëve me anë të Pakos së Ahtisarit.
“Momentalisht, komuna paralele në Shtërpcë është mbyllur nga policia, ndërsa shëndetësia funksionon paralelisht, pasi siç dihet kjo është mundësuar edhe nga Pako e Ahtisarit. Arsimi po ashtu funksionon në baza të strukturave paralele. Nëse ne s’shkojmë në shkolla se është ditë pushimi, ata funksionojnë me sistemin e Serbisë”, është shprehur Arifi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, Arifi bëri të ditur se në objektin e kuvendit komunal nuk ka asnjë simbol të shtetit të Kosovës, por gjendet vetëm flamuri i Serbisë.
“Atje është i vendosur vetëm flamuri i Serbisë ndërsa s’e kemi asnjë simbol të Kosovës. Deri më tani, edhe asamblistët paraprakë kanë kërkuar vendosjen e flamurit të Kosovës, por është kundërshtuar nga udhëheqësia atje. Asamblistët tanë e kanë përdorur flamurin kuqezi, por kjo është individuale e jo siç duhet ta ketë kuvendi komunal, pasi është obligim shtetëror e kushtetues”, është shprehur Arifi.
Tutje, asamblisti i VV-së e përshëndeti aksionin e sotëm të policisë dhe prokurorisë, teksa tha se ai qe në dijeni se kamera ilegale ka pasur në qytezë, por jo edhe në pjesë të tjera si në shkolla.
“Është komplet ilegale, e përshëndes aksionin dhe e inkurajoj policinë dhe prokurorinë që të merret edhe më tutje me këto raste, pasi është shkelje e të drejtave të qytetarëve si pasojë e formimit të atyre grupeve që kanë për qëllim cenimin e sigurisë së banorëve atje”, ka thënë Arifi, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se ky nuk është aksioni i parë në komunën e Shtërpcës, pasi kohë më parë Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit kanë mbyllur komunën paralele ilegale.


