Lajme

Arifi: Vijat e kuqe s’janë zgjidhje, kushtet e opozitës për Qeveri do ta fusnin VV’në në një defanzivë të thellë

04/10/2025 11:08
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka komentuar situatën politike aktuale në Kosovë, duke theksuar mosfunksionimin e komunikimit të partisë në pushtet, Vetëvendosje (VV), me partitë opozitare.

Arifi për GazetaBlic e ka cilësuar si problem të madh mosaftësinë e VV-së për të ndërtuar dialog me opozitën, duke shtuar se ky është një faktor që e komplikon formimin e qeverisë.

“Ajo që po dihet deri tani është mosaftësia e VV-së për komunikim me partitë opozitare. Pranimi që nuk mund ta bëjë qeverinë vet, nuk është diçka e re, por problemi është te mosaftësia për të komunikuar,” tha Arifi, duke theksuar se ky është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në ngërçin politik aktual.

Ai gjithashtu u shpreh se opozita nuk duhet të ketë qëndrime të rrepta, por të përdorë një qasje më strategjike për të vendosur VV-në në një pozitë të vështirë dhe për t’i kërkuar përfshirjen në qeveri me kushtet e saj.

“Opozita nuk duhet të bënte vija të kuqe, por do të duhej ta fusnin në defanzivë VV-në dhe t’i kërkonin që ta bënte pjesë të qeverisë, por me kushtet e tyre. Kjo do ta fusnin në defanzivë VV-në, kjo do të duhej të ishte politika e opozitës,” theksoi Arifi.

Në fund, ai paralajmëroi se, në rast se VV-ja refuzon kushtet e opozitës për formimin e qeverisë, Kosova mund të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, ai theksoi se këto kushte mund të krijojnë një problematikë të mëtejshme për VV-në, duke i vështirësuar fushatën dhe mundësinë për të fituar sërish besimin e qytetarëve.

“Nëse VV-ja do t’i refuzonte të gjitha këto kushte, atëherë është normale që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por kushtet e opozitës për qeveri do ta fusnin VV-në në një problematikë edhe më të thellë gjatë zgjedhjeve,” përfundoi Arifi.

Ahmeti i PSD-së bën thirrje që opozita të bashkohet: Mënyra e duhur për të sfiduar pushtetin autoritar të Kurtit