Lajme

Arifi për Qeverinë Kurti: Është budallaki totale se çfarë është duke bërë Kosova me Serbinë, ndërkombëtarët qeshin me neve

08/15/2022 20:27
nga:G B

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka folur për Këshillin Kombëtar Shqiptar ku sipas tij është një shpikje e Serbisë dhe sipas tij është fatkeqësi që Republika e Kosovës e sheh si zgjidhje.

“Këshilli Kombëtar shqiptar është një shpikje serbe. Këtë e ka themeluar Serbia jo ne. Këshilli nuk ka të drejta ekzekutive ka të drejta vetëm legjislative. Merret vetëm me katër fusha. Ky është dizajnuar sakat për mos me arrit suksese.  Është për fatkeqësi që Këshilli Kombëtar shihet si një zgjidhje . Për mu është një budallaki totale se çfarë është duke bërë Kosova e Shqipëria në raport me Serbinë, Për mua është një çmenduri totale e nuk kanë asnjë logjikë. Ndërkombëtarët qeshin me neve. E Serbia sakt po din me dizajnu qasjen e politikës së saj në Veri të Kosovës” ka thënë ai në një intervistë për Gazetën Insajderi.

Në këtë Intrevistë, Arifi ka kritikuar qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë për  mos mbështetje të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Në një intervistë për Gazetën Insajderi kritikat e tij kanë qenë të ashpra ndaj qeverisë Kurti dhe politikat që po i ndjek kjo qeveri për mirëqenien e shqiptareve të Luginës.

Kosova i kishte premtuar 2 milionë euro për Luginën e Preshevës, por ende nuk i ka ekzekutuar. Arifi thotë se mos ndarja e këtyre mjeteve po i dëmton shumë projektet që janë  përgatitur atje dhe që parashihet të financohen nga këto mjete.

Ai fajëson njeriun e afërt me Albin Kurtin,  ministrin Liburn Aliu që ka gisht në mos dhënien e këtyre mjeteve. Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të lidhjeve familjare që ka me ish kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Arifi thotë se ai nuk mund të kontrollohet nga Qevia Kurti duke pretenduar se ish kryetarja është kontrolluar.

“Asgjë, De Facto asgjë. De facto kemi atë që na presin në takime e bëjnë foto. As parat që na kanë premtu nuk na kanë dhënë ende. Dhe kjo është nga Liburn Aliu që është me ndikim në qeverinë Kurti mos me u dergu paratë që qytetarët e Kosovës kanë vendosur për t’i dërguar 2 milionë euro për Preshevën. Tre projektet tona të planifikuara nga këto mjete kanë stopuar. Tre projekte të shumë kërkuara nga qytetarët tonë”, deklaroi Arifi.

Madje sipas tij, as vetë kryeministri Kurti nuk e din mirë si është situate e shqiptarëve të Luginës.

“Shumë pak njerëz e din situatën reale të shqiptarëve në Luginë, as kryeministri Kurti nuk e din. Le të nuk ndihmojnë diçka po as nuk e dinë se çka po përjetojmë na këtu. Është fatkeqësi totale”, tha ai.

Kritikat më të ashpra të Arifit ishin lidhur me rastin e fundit ku u përfshin nga zjarret disa vatra në Luginë e nuk kishte marrë asnjë telefonatë nga dy qeveritë.

Ai thotë se është fatkeqësi kjo çka po përjetojnë shqiptarët e Luginës e nuk kanë asnjë mbështetje nga Kosova e Shqipëria.