Lajme

Arifi: Nuk duhet të jap dorëheqje vetëm Abdixhiku, por e gjithë struktura e LDK-së në nivel vendi

01/14/2026 12:47
nga:Genita C

Analisti politik Dritëro Arifi ka kritikuar ashpër qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me deklaratat për dorëheqjen pas rezultatit zgjedhor.

Arifi për GazetaBlic ka vlerësuar se deklarata e Abdixhikut, se do të qëndrojë në krye të partisë nëse dorëheqja nuk i aprovohet, është joserioze dhe tregon mungesë të përgjegjësisë politike.

“Qëndrimi i Abdixhikut që do të qëndroj nëse nuk i aprovohet dorëheqja është çështje joserioze sepse kjo nuk e dëshmon që vetëm ai nuk e ka seriozisht angazhimin politik, por tregon që kryesia e këshilli i përgjithshëm i LDK-së po vazhdon me hapa të breshkës. Kjo është më shqetësuese sepse ajo cka ka thënë Abdixhiku”, thotë Arifi.

Sipas tij, kjo situatë nuk dëshmon vetëm dështimin personal të Abdixhikut, por edhe dështimin e të gjitha strukturave të LDK-së në nivel vendi.

Arifi ka theksuar se LDK-ja nuk ka triumfuar në asnjë komunë në zgjedhjet nacionale dhe se, në raste të tilla, dorëheqja duhet të jetë kolektive, duke përfshirë kryesinë dhe këshillin e përgjithshëm të partisë.

“Pra në momentin që ka një dështim kaq serioz nga një parti që ka histori, nuk është aq e thjeshtë të thuash që “unë po jap dorëheqje, por nëse nuk ma pranojnë po qëndroj prap”. Kjo nuk është dështim veç i Abdixhikut, është dështim i të gjitha strukturave të LDK-së në nivel vendi sepse në zgjedhjet nacionale, LDK-ja në asnjë komunë nuk ka triumfuar. Këtu nuk duhet të jap dorëheqje vetëm një person por e gjithë struktura në nivel vendi”, tha Arifi për GazetaBlic.