Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, thotë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit priten vetëm ndryshime të vogla në rezultatet zgjedhore.
Sipas tij, situata aktuale politike ka dëshmuar paaftësinë e elitës politike dhe ka krijuar një “katrahurë” brenda partive shqiptare, ndaj edhe ndryshimet mund të jenë minimale, por të mjaftueshme për të ndikuar në mënyrën e qeverisjes.
“Duke jetuar në këtë marrëzi politike, të pretenduar që një kohë të gjatë, kjo faktikisht u dëshmua me paaftësinë e elitës politke dhe duke parë gjithë këtë katrahurë të partive shqiptare, në zgjedhjet mund të kemi një ndryshim shumë të vogël sa i përket rezultateve, por i mjaftueshëm që të ndryshohet loja e qeverisjes”, tha Arifi.
Arifi theksoi se ditët e mbetura deri në zgjedhje do të jenë vendimtare për të përcaktuar fituesin dhe konfigurimin e mundshëm të koalicioneve paszgjedhore, pasi gjithçka do të varet nga narracionet që partitë politike do t’i ofrojnë qytetarëve.
“Këto ditë që kanë mbetur do të jenë vendimtare për atë se kush do të jetë fitues i lehtë, fitues i koalicioneve paszgjedhore, sepse kjo do të varet nga tregimet apo narracionet që do ta kenë partitë politke”, tha Arifi për GazetaBlic.


