Lajme

Arifi: Mënyra si partitë po tentojnë të vijnë në pushtet është komedi e Stupcave

09/01/2024 17:07
nga:G B

Komedi të Stupcave  e ka quajtur mënyrën se si partitë po tentojnë të vijnë në pushtet, politologu Dritëro Arifi.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është fyerje dhe tallje ndaj qytetarëve të Kosovës, nga partitë politike.

“Puna e zgjedhjeve mënyra se si janë caktuar dhe si partitë po pretendojnë të vijnë në pushtet është komedi e Stupcave, pra Ditari i Stupcave, me gjithë respektin për shumë politikanë dhe qytetarë por kjo është një tallje, fyerje e inteligjencës së qytetarëve të Kosovës. 51 për qindëshi, Vetëvendosje, shumica e ministrave dhe deputetëve flasin se sa për qind do t’i marrin por është absurditet në vete, palogjikshëm, marrëzi. Në vend se të na tregojnë sa projekte i kanë përfunduar dhe sa do t’i bëjnë, në vend se të flasin për përmbajtje, ata flasin për ambalazh, është një diskrepancë e madhe mes asaj çka kërkojnë qytetarët dhe çka paraqesin politikanët. I shoh më shumë si zgjedhje komike sepse nuk mund të prodhojnë përmbajtje substanciale për qytetarët e Kosovës krejt loja do të jetë kush do të dalë i pari. Nuk kemi parë një seriozitet as nga partitë opozitare e as nga Vetëvendosje, kjo e fundit po shihet që nuk e ka esencën te përmbajtja por vetëm te numrat”, vlerëson ai.

Sipas Arifit, VV do të dalë e para por e ka të vështirë të jetë në qeveri pa koalicion.

“Nga të gjitha matjet që janë bërë VV do të dalë e para, përqindja dallon sepse kur matet opinioni publik ndryshon momentumi. VV do të dalë e para por pa një koalicion do të jetë e vështirë të bëhen projekte shumë të mëdha, është e pamundur me 51 për qind këta nuk ishin në gjendje që ta zbatonin një marrëveshje me perëndimin jo me Serbinë dhe mendoj që vetëm një koalicion i madh shqiptar mund ta bëjë që projektin e madh pra dialogun me perëndimin ta përmbyllim me komunitetin serb”, deklaron Arifi për Gazeta Blic.