Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe mënyrës se si duhet të vazhdojë Kosova tutje në procesin e dialogut.
Arifi tha se Kosova duhet ta rifillojë dialogun por jo me Serbinë e cila po sponsorizon terrorizmin kundër Kosovës.
Ai theksoi se për hapat e mëtejshëm Kosova duhet të dakoordohet me BE-në dhe SHBA-të.
“Po, mendoj se Kosova duhet të vazhdojë dialogun por jo domosdoshmërisht me Serbinë një vend i cili po financon terrorizmin kundër Republikës së Kosovës.Këtu duhet të shihet mënyra dhe strategjia se si duhet të vazhdohet tutje por dialogu duhet të vazhdojë. Mendoj se hapat që duhet të ndërmerren janë ato që duhet të dakoordohen me BE-në dhe SHBA-në sepse e përjashtojmë euforinë ‘Marrëveshjet Ndërkombëtare’ mbesin të tilla sepse duhet të zbatohen pavarësisht palës tjetër”
“Pra Kosova duhet të dialogojë me BE-në dhe SHBA-në që të dakoordohet se si procedojë tutje me këto marrëveshje ndërkombëtaredhe me zotimet që i kanë dhënë Qeveritë e Kosovës dhe marrëveshjet që janë aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Në këtë pikë duhet të jemi më strategjik, të dijmë se si të integrohemi tani në partneritet më të thellë me BE-në dhe SHBA-në por jo me vende që sponsorizojnë terrorizmin. Pra marrëveshja jonë duhet të jetë vetëm me perendimin” tha Arifi për “Gazeta Blic”
Të dielën humbi jetën nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Vdekja e Bunjakut u pasua me një konflikt të armatosur mes terroristëve serbë dhe Policisë së Kosovës ku u vranë tre prej tyre.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka folur për ngjarjet në veri ku ka deklaruar se se palët duhet t’i kthehen dialogut.
“Ajo që ne mendojmë se është e rëndësishme është që të gjitha palët duhet të punojnë menjëherë me partnerët ndërkombëtarë për de-eskalim të situatës dhe të garantojnë siguri dhe sundim të ligjit dhe kthim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Miller raporton “Gazeta Blic”
/Gazeta Blic/
Miller: Kosova e Serbia të punojnë me partnerët ndërkombëtarë, t’i rikthehen dialogut