Lajme

Arifi i reagon Gërvallës: Mos fëlliq në emër të babës, Donikë

12/21/2024 16:04
nga:Sh R

Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla drejt Ramush Haradinaj, ku thotë se AAK-ja për më shumë se një dekadë ka heshtur përballë fyerjeve, sharjeve dhe ofendimeve të Gërvallës ndaj Haradinajt, raporton GazetaBlic.

Arifi thotë se AAK-ja hesht sepse ajo është e ‘bija e Jusuf Gërvallës’.

Ai thekson se Donika mund të jetë bija e kujtdo, por kurrë në jetën e saj nuk ka qenë bartëse e amanetit të Jusuf Gërvallës, amaneti i të cilit ishte amanet i urtësisë, bashkimit të shqiptarëve rreth një kauze.

Ndër të tjera ai thotë se Donika do të mbahet mend si ministrja më e dobët që ka pasur ndonjëherë Kosova në politikën e jashtme, por edhe si një nga njerëzit më të ligë në aspektin njerëzor.

Postimi i plotë:

“Mos fëlliq në emër të babës, Donikë.”

Kush do të kishte menduar ndonjëherë se të kritikoheshe dhe të shahesh nga vajza e Jusuf Gërvallës do të ishte jo vetëm një privilegj politik, por edhe një privilegj njerëzor.

AAK-ja dhe vetë Ramushi meritojnë çdo kritikë kur bëhet fjalë për Donika Gërvallën. Të magjepsur nga figura e babait të saj, AAK-ja për më shumë se një dekadë ka heshtur përballë fyerjeve, sharjeve dhe ofendimeve të Donika Gërvallës ndaj Ramush Haradinajt, AAK-së dhe njerëzve të saj. Donika i ka sharë, i ka fyer dhe do t’i shajë përjetë, ndërsa AAK-ja dhe Ramushi heshtin, sepse ajo është e “bija e Jusufit.”

AAK, gabim e keni. Donika mund të jetë bija e kujtdo, por kurrë në jetën e saj nuk ka qenë bartëse e amanetit të Jusuf Gërvallës, amaneti i të cilit ishte amanet i urtësisë, bashkimit të shqiptarëve rreth një kauze, pavarësisht bindjeve, dhe një udhërrëfyes për çdo të ri që dëshironte lirinë e shqiptarëve dhe të Kosovës. Njerëzit e Kosovës kanë vdekur dhe kanë vuajtur burgje për idealet e Jusuf Gërvallës.

Donika do të mbahet mend jo vetëm si ministrja më e dobët që ka pasur ndonjëherë Kosova në politikën e jashtme, por edhe si një nga njerëzit më të ligë në aspektin njerëzor. Kudo që shkel këmba e saj, ajo krijon armiq për Kosovën, për shqiptarët dhe për veten e saj. Krejtësisht jo përfaqësuese, e çrregullt në paraqitje dhe në ide, pa njohuri bazike për diplomaci apo për njerëzillëk, ajo sheh vetëm armiq përreth saj dhe beson se e gjithë bota është fajtore që ajo nuk është e lumtur.

Kriminelë për të ishin liderët e UÇK-së, kriminelë për të ishin njerëzit e sakrificës për Kosovën. Kriminele për të ishte politika perëndimore ndaj Kosovës. Kriminelë dolën të ishin edhe njerëzit e Kosovës që punojnë në administratën publike (thuhet se deri në 80% votuan për VV-në në zgjedhjet e fundit). Kriminel duket të jetë për të edhe ish-mentori i saj politik, Hafiz Gagica, dhe kriminele doli të jetë edhe shoqja e saj që e solli në skenën politike të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani. Në gjithë rruzullin tokësor, janë vetëm dy persona që nuk janë kriminelë për Donikën: Peci dhe Kurti. T’i ruajt Zoti, Donikë!
Është kthyer në krenari të jesh në mesin e atyre që Donika i konsideron si kriminelë. Edhe unë, edhe çdo aleancist, qofshim kriminelë përjetë në sytë e Donika Gërvallës.

E, Donikë, Ramushi do të jetë edhe për shumë kohë në Kuvend dhe në krye të politikës kosovare. Ramushi ua ka borxh dëshmorëve të kombit që kauzën për të cilën ata derdhën gjak ta çojë në vend. Ramushi do t’i përballojë çdo mendje të prishur të këtij kombi.