Avni Arifi ka deklaruar se krerët e institucioneve dhe partitë politike në Kosovë duhet t’u kërkojnë qytetarëve të mos përfshihen në zhvillimet politike në Shqipëri, duke theksuar se ato çështje u takojnë vetëm qytetarëve të Shqipërisë, raporton GazetaBlic.
Ai ka shtuar se pjesëmarrja në protesta pro apo kundër qeverisë shqiptare nga Kosova është e panevojshme dhe se problemet politike duhet të trajtohen brenda vendit përkatës.
Arifi gjithashtu ka kritikuar përdorimin e simboleve të UÇK-së në protesta në Shqipëri, duke e cilësuar si të papërshtatshëm dhe të politizuar.
E plotë:
Krerët e institucioneve në detyrë të Kosovës dhe liderët e partive politike duhet që publikisht t’u kërkojnë elektoratit të tyre dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës të mos përfshihen në zhvillimet politike në Shqipëri. Askush nga Kosova nuk ka të drejtë të marrë pjesë në manifestime pro apo kundër Qeverisë së Shqipërisë. Shqipëria nuk është sulmuar ushtarakisht që kjo të përbënte një kauzë për t’i dalë në mbrojtje shtetit shqiptar.
Çfarëdo që të jetë qeverisja atje, ajo u takon vlonjatëve, shkodranëve, tiranasve, durrsakëve, tropojanëve, korçarëve dhe qytetarëve të tjerë të Shqipërisë. Shqiptarët nga Kosova duhet të merren me partitë e tyre, të cilat tash e dy vjet po tregohen të paafta për të ndërtuar institucione, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut le të merren me mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të gjuhës shqipe në vendin e tyre, nëse e shohin të nevojshme.
Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes. Përdorimi i flamurit të UÇK-së në protesta të brendshme politike në Shqipëri është i pavend, sepse synon të politizojë një simbol që i përket një kauze krejt tjetër. Nuk i duhet askujt një përçarje e re dhe askush nuk ka të drejtë t’i fusë hundët në një çështje që u përket vetëm shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri


