Lajme

Arifi: Deklarata e Stanos tronditëse, është skandaloze që Serbia të mos ndëshkohet për sulmin e Banjskës

06/26/2024 14:40
nga:G B

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Kosova nuk i ka dërguar raport përfundimtar për sulmin terrorist të Banjskës, andaj nuk ka hetim të plotë për këtë sulm dhe s’ka masa ndaj Serbisë.

Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës pas kësaj deklarate thanë për Gazeta Blic se i kanë dërguar BE-së raportin 48-faqësh për sulmin dhe Radojçiq është ende i lirë.

Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo deklaratë e Stanos është tronditëse, derisa po flet në emër të 27 shteteve të BE-së.

Sipas tij, është e pafalshme që të ketë mungesë të komunikimit mes Qeverisë dhe BE-së.

“Deklarata e Stanos është deklaratë tronditëse duke marrë parasysh faktin se ai po flet në emër të 27 shteteve të cilave Qeveria e Kosovës pretendon se u ka dërguar raport përfundimtar. Stano nuk do të kishte mundësi as teknikisht që të “gënjejë” para gjithë këtyre shteteve. E pafalshme mungesa e komunikimit të duhur Kosovë-BE dhe dërgimi i raportit konform procedurave në situata të tilla”, thotë ai.

Arifi vlerëson se Qeveria duhet të ketë parlamentar për këtë çështje, teksa shton se mos ndëshkimi i Serbisë për sulmin e Banjskës është skandaloz.

“Qeveria e Kosovës duhet të thirret në përgjegjësi për këtë çështje dhe duhet të ketë debat parlamentar. Mos ndëshkimi i Serbisë për rastin e Banjskës është skandaloz dhe me të drejtë u shërben zërave për anim të Brukselit kah Serbia, aq më parë kur Kosovës i janë vënë masa për shumë herë më pak arsye”, thekson ish diplomati Avni Arifi./Gazeta Blic/

“S’kemi vija të kuqe për asnjë parti”/ PDK e VV flasin për mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve

Në pritje të takimit Kurti-Vuçiq/ Gazetari Kushtrim Sadiku flet nga Brukseli: Cilat janë pritjet e ballafaqimit të liderëve pas 9 muajsh