Aktivisti Shemsi Jashari ka propozuar emrin e Arianit Shehu si kandidat potencial për President të Kosovës, duke theksuar nevojën për një figurë unifikuese dhe jo partiake në krye të shtetit.
Sipas Jasharit, në një kohë të krizës institucionale dhe sfidave në rrugën euroatlantike, vendi ka nevojë për lidership të pjekur që ndërton ura bashkëpunimi brenda vendit dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Ai vlerëson se Shehu ka mbi 25 vite përvojë në politikën ndërkombëtare, siguri dhe qeverisje, duke bashkëpunuar me administrata amerikane nga koha e Bill Clinton deri te administratat e Joe Biden dhe Donald Trump.
Në profilin e tij përmendet edhe angazhimi si këshilltar pranë Madeleine Albright dhe puna në organizata ndërkombëtare si National Democratic Institute, me përvojë në më shumë se 16 vende në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Euroazi.
Jashari thekson se aktualisht Shehu udhëheq një organizatë në SHBA që merret me luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, duke e lidhur këtë përvojë me sfidat globale të sigurisë dhe rolin e Kosovës në këtë drejtim.


