Sporti

Arianit Ahmeti: Agim Ademi dhe Taulant Hodaj të kërkojnë falje dhe të largohen nga FFK

04/12/2023 11:40
nga:Lorik J

Arianit Ahmeti: Agim Ademi dhe Taulant Hodaj të kërkojnë falje dhe të dorëhiqen nga FFK-ja

Ish-zëvendës sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti i ka përmendur disa parregullsi në udhëheqësinë e shtëpisë së futbollit kosovar përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas tij, sekretari i FFK-së, Taulant Hodaj, i cili me profesion është avokat, nuk mund t’i kryejë të dyja pozitat njëkohësisht.

Ai i ka përmendur me nene, ligjet dhe rregullat që i ka thyer Hodaj, për të cilin insiston se është futur në futboll për interesa personale dhe për të fituar me biznesin e tij.

“Taulant Hodaj së pari duhet të ju tregoj klubeve a është avokat apo sekretar i FFK-së?! Sipas ligjit te avokatisë nenin 10 dhe 39, të dy këto funksione nuk mundet t’i ushtrojë njëkohësisht një avokat”, shkruan Ahmeti.

Ai hyn edhe më thellë, duke insistuar se Hodaj është futur në futbollin kosovar për interesat e tij biznesore, në vend se të merret me plotësimin e rekomandimeve të MKRS-së për licencimin e Federatës së Futbollit.

“Ai veçse ua humbi klubeve paratë e sponsorizmit për vitin 2022 dhe tani po e sulmon MKRS-në për ta mbuluar dështimin e FFK-së, interesat dhe paaftësinë e tij, dhe të shefit të tij të arrestuar. Për shkak të moslicensimit të FFK-së klubet kanë humbur mbi 3 milion euro. Klubet u mashtruan nga sekretari dhe kryetari i FFK-së, se pas Kuvendit të datës 27.01.2023 menjëherë do të licensohen, vetëm se duhet ta votojnë Statutin e ri”, vazhdoi Ahmeti.

Ai, për këto parregullsi dhe për gjendjen në të cilën ka ardhur futbolli kosovar, kërkon që udhëheqësia e FFK-së, respektivisht kryetari Agim Ademi dhe sekretari gjeneral Taulant Hodaj, të japin dorëheqje, shkruan “Gazeta Express”.

“Për shkak të dështimit të licencimit të FFK-së, Taulant Hodaj do të duhej më së paku të kërkoj falje, ta lirojë pozitën bashkë me kryetarin e arrestuar të FFK-së Agim Ademin, të cilët janë bërë pengesa kyçe e futbollit të Kosovës. Për ambicie dhe interesa personale Ademi dhe Hodaj, kanë vendosur që ta thellojnë edhe më shumë krizën në FFK. Sa më shpejt që klubet e kuptojnë se u mashtruan dhe u manipuluan për intersant të krerëve të FFK-së, aq më shpejtë do të vije licensimi i tyre. Licensimin e FFK-së mund ta bëjnë ata që dinë dhe punojnë për interesa të zhvillimit të futbollit, e jo ata që shfrytezojnë futbollin për ta zhvatur buxhetin e tij për vete dhe grupet rreth tyre. Në të kaluarën ky proces as që diskutohej as brenda FFK-së, e lëre të bëhet temë mediatike tani e sa vite me radhë!!!”, ka shkruar tutje Ahmeti.

Futbolli kosovar është goditur rëndë kohëve të fundit, fillimisht me dërgimin për një muaj në arrest shtëpiak të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, pastaj moslicencimin e FFK-së nga Ministria e Sportit dhe krizën e thellë financiare që i ka goditur klubet kosovare.