Lajme

Ariana Musliu jashtë politikës/ Koha me fëmijët, profesionin që do ta kishte nëse jo politikane dhe a e ka menduar tërheqjen nga politika

01/01/2024 15:12
nga:G B

Ariana Musliu Shoshi, deputete e PDK-së, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur edhe për familjen, fëmijët, kohën që kalon me ta, sfidën që të kalojë më shumë kohë me ta për shkak të angazhimeve në politikë, kritikat e lëvdatat që merr nga qytetarët.

“Votuesi të sheh, të dëgjon, e sheh angazhimin tënd, e di që nuk je duke punuar vetëm për një grusht vota mirëpo je duke u angazhuar vërtetë për shkak se të intereson që ky vend të ketë një të ardhshme të sigurt, që të jetë një vend anëtar i BE-së, sepse unë i kam vetë 2 djem dhe pavarësisht ofertave që kam pasur për të punuar jashtë vendit, kam zgjedhur Kosovën për të ardhmen e fëmijëve të mi, të ardhmen time dhe vetë fakti që e kam zgjedhur këtë vend, tregon që puna ime është e bazuar në argumente dhe të bëj punë të mira, të jem në vendime të mira që vërtet i ndihmojnë këtij vendi që ne të kemi një të ardhme evropiane”, thotë ajo.

Deputetja tregon se kritikat i ka nga përkrahës të pushtetit, derisa shpjegon se s’ka asgjë me personale me Kurtin apo dikë nga Qeveria, por me veprimet e vendimet e saj.

“Edhe kritika merr, nga ata që janë përkrahës të pushtetit sepse të thonë pse je kundër kësaj qeverie, kundër këtij vendimi, kundër Albinit. Unë personalisht s’kam problem me asnjërin, as me Albinin, as me askënd nga kabineti qeveritar por me vendimet që merr kjo qeveri, me populizmin që vazhdimisht e bën, me kuorumin që s’mund ta bëjnë në Kuvend, pra janë çështje që unë e partia ime i vlerësojmë që nuk janë duke ecur mirë dhe për atë e ngrisim zërin, provojmë ta bëjmë më të mirën dhe nuk dyshoj që qytetari e vlerëson këtë”, potencon ajo.

Musliu Shoshi e quan vit mjaft sfidues angazhimin në politikë në raport me kujdesin për fëmijët, takimet me qytetarë e familjarë, derisa djalin e vogël e ka vetëm 1 vjeç. Mirëpo, thotë se nuk është diçka që s’mund ta bëjë njëkohësisht.

Lidhur me atë se a ka menduar ndonjëherë që të tërhiqet nga politika dhe të mos jetë pjesë e saj, ajo e hedh poshtë një gjë të tillë.

“Nuk kam menduar që të mos jem në skenën politike sepse tërë jetën time kam punuar për këtë ditë, që të jem një ditë përfaqësuese e qytetarëve, të jem deputete”, thekson ajo.

E, nëse s’do të merrej me politikë dhe të ishte tani deputete, Ariana Musliu Shoshi thotë se do të mund të ishte në diplomaci të jashtme, edhe si ambasadore./Gazeta Blic/