Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, është takuar me sindikalistët e arsimit në këtë komunë, raporton Gazeta Blic.
Shala ka premtuar realizim të kontratave kolektive për punëtorët e arsimit.
Kandidati për të udhëhequr Suharekën, gjithashtu është zotuar për avancim të mësimit për nxënësit me nevoja të veçanta, ngritje të bibiotekave shkollore dhe aftësim të kuadrit dhe nxënësve për punën online.
Shkrimi i plotë nga Ardian Shala:
REALIZIM I KONTRATËS KOLEKTIVE NË ARSIM
Arsimi është prioritet i pandashëm i qeverisjes time lokale. Cilësia në mësimdhënie e mësimnxënie, do të jenë fokusi im i parë, investimet në shkolla e çerdhe, në infrastrukturën shkollore dhe në siguri të nxënësve.
Në takim me Sindikatën e Arsimit, ceka se ndër hapat e parë do të jetë realizimi i të gjitha obligimeve të komunës që parashihen në kontratën kolektive për punëtorët e arsimit .
Do ta avansojmë mësimin për nxënësit me nevoja të veçanta, do të ngrisim bibliotekat shkollore aty ku mungojnë, aftësimin e kuadrit dhe nxënësve për punën online, mbikëqyrjen e shkollave me kamera dhe shumë projekte tjera që i kontribuojnë cilësisë së arsimit.


