Sporti

Ardian Nuhiu pas barazimit ndaj Ulpianës: Nuk di se çfarë të them

10/15/2021 15:57
nga:Mergim Rreci

Drita ka barazuar me rezultat 1 me 1 në ndeshjen e sotme ndaj Ulpianës.

“Intelektualët” nuk kanë arritur më shumë se një barazim në këtë takim dhe tashmë nuk janë në një seri aspak të mirë, shkruan GazetaBlic Sport.

Pas takimit, trajneri Ardian Nuhiu është prononcuar për media, ku ka treguar se Drita pati shumë raste por nuk arriti të shënojë.

“Nuk di se çfarë të them. Ishim me dominues gjatë tërë takimit dhe prapë po ndëshkohemi nga një rast. Ne luajtëm mirë, por edhe nuk kemi pasur rast për të mbyllur ndeshjen. Unë po mundohem ta gjejë formulën për t’u kthyer fitoreve, por kjo nuk po ndodh”.

“Pa asnjë diskutim do t’i kthehemi fitoreve, pasi tash njohim të gjithë kundërshtaret dhe lojën e tyre. Ne do të vazhdojmë për të kërkuar fitoren edhe pse nuk ka kundërshtar të lehtë. Unë besoj tek ky grup i lojtarëve, pasi kemi potencialin për të dalë nga kjo krizë e rezultateve. Ne po kërkojmë titullin e kampionit dhe do të luftojmë për ta fituar”