Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se dozat e vaksinave kundër COVID-19 të cilat kanë ardhur sot në Kosovë janë të kompanisë Pfizer.
Ai në ceremoninë e pritjes të këtij kontigjenti ka deklaruar se ky është donacioni më i madh i vaksinave që i është dhënë Kosovës përnjëherë në luftën kundër COVID-19.
“Është privilegj të ju shoqërojë sot këtu për të mirëseardhur kontigjentin e parë të vaksinave që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga më shumë se gjysmë milionë doza të vaksinave që janë gjithsej. Këto janë doza të sigurta, të kompanisë Pfizer, për ta ndihmuar Kosovën në luftën kundër COVID-19”.
“Kjo dhuratë me doza të vaksinave nga njerëzit e Amerikës është më e madhja që është dhënë për Kosovën përnjëherë nga ndonjë shtet apo edhe organizatë. Kur të kompletohet nëpërmjet mekanizmit COVAX do të jenë 700 mijë doza të vaksinave. Iniciativë globale për të mbështetur ndihmën e vaksinave të sigurta. Me 2 miliardë investime në mekanizmin COVAX, SHBA-ja është shteti më i madh që ka kontribuar në këtë mekanizëm”, ka thënë Kosnett.
Ai ka shtuar se gati katër milionë euro SHBA-ja i ka dhënë në Kosovë për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.