I vërshuar nga ofertat vendimin i’a la zemrës, që tashmë zyrtarisht Shkëndija në gjirin e saj ta ketë birin e vet Arbin Zejnullain. Tashmë 26 dhe me trofe e shumë protagonizëm në Shqipëri, mesfushori tetovar duket i bindur për të lënë impakt të ri me fanellën kuqezi.
Pas 4 viteve kthehet të vesh fanellën që dikur e kishte ëndërr, tani me besimin se Shkëndija meriton të jetë sa më lartë.
Ndjesia pas rikthimit
Arbin Zejnullai: “Me thënë të drejtën ndjesi shumë e bukur të rikthehem në shtëpinë time. Normal nuk ka ndjenjë më të bukur se shtëpia jote. Rikthehem ndryshe, më i pjekur, me më shumë eksperiencë dhe shpresoj gjërat të shkojnë ashtu si duhet.”
Shumë oferta, por vendosi zemra
Arbin Zejnullai: “Është e vërtetë, vendosi zemra pasi që në momentin kur u largova nga Egnatia vendosa që të bëj një vendim shumë të rëndësishëm për veten. Besoj se ky është hap i rëndësishëm për mua që të rikthehem në shtëpi dhe të bëj histori me klubin e zemrës.”
Fitore me peshë ndaj TNS-së
Arbin Zejnullai: “Po, është e vërtetë. Është e rëndësishme që ajo ndeshje të fitohet dhe çunat i’a arritën. Mendoj se tani e tutje do të bëhet më e vështirë, pasi që vijnë ekipe më serioze. Por unë besoj te ekipi dhe shpresoj që në fund të gjithë t’ia arrijmë qëllimit, t’i kapim grupet.”
Lidhja me Shkëndijën
Arbin Zejnullai: “Çdo fëmijë tetovar ka ëndërr një ditë të vesh fanellën e Shkëndijës. Edhe unë si çdo tetovar jam rritur me Shkëndijën, kam kaluar gjithçka me Shkëndijën. Kam qenë edhe tifoz, kam qenë edhe te akademia, i kam kaluar gjitha grupmoshat, kështu që ndjehem shumë, shumë i privilegjuar që me këtë status që jam do të vesh sërish fanellën e Shkëndijës dhe shpresoj që historia do të vazhdojë.”
Imazhi i Shkëndijës në Shqipëri
Arbin Zejnullai: “Them se Shkëndija na përfaqëson edhe në trojet tjera dhe realisht klubi në këto troje shihet si një mini-kombëtare. Ne duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë sa më shumë që ta ruajmë këtë status. Shkëndijës i duhet vazhdim i historisë, të vazhdojmë me rezultatet e mira, pasi ky klub i ka të gjitha. Traditë, histori, tifozët, klubit nuk i mungon asnjë gjë, kështu që duhet të vazhdohet kjo traditë e Shkëndijës dhe mos vdes kurrë.”


