Lajme

Arbiana Xhemajli: Shëndetësia dhe sigurimet shëndetësore, prioritetet kryesore të angazhimit tim në PDK

01/13/2025 16:54
nga:G C

Arbiana Xhemajli, kandidatja e PDK-së për deputete, ka shprehur prioritetin e saj për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë, duke theksuar se ka një dekadë përvojë në institutin e shëndetit publik dhe një biznes të suksesshëm farmaceutik.

Ajo ka theksuar se një nga fokuset kryesore të programit të saj është rregullimi i sistemit farmaceutik dhe implementimi i sigurimeve shëndetësore për qytetarët.

“Prioriteti im është shëndetësia, kam punuar më shumë se një dekadë në institutin e shëndetit publik, teksa e udhëheqi një biznes shumë të suksesshëm farmaceutik. Prioritet im do të jetë rregullimi i sistemi farmaceutik, poashtu edhe sigurimet shëndetësore”, tha Xhemajli.

Xhemajli ka përmendur se PDK-ja do të krijojë fondin për sigurime shëndetësore, një angazhim që është pjesë e programit të partisë dhe që do të realizohet brenda mandatit të ardhshëm qeverisës, me Bedri Hamzën si kryeministër.

Ajo ka shprehur besimin se sigurimet shëndetësore do të implementohen që në vitin e parë të qeverisjes së PDK-së dhe se do të jetë një prej çështjeve kryesore që do të mbështesë gjatë katër viteve të ardhshme.

“PDK-ja do ta bëjë fondin për sigurime shëndetësore, është e përfshirë edhe në programin e PDK dhe do të realizohet brenda këtij mandati qeverisës, me Bedri Hamzën kryeministër. Jam shumë e lumtur që ky është një prej shtyllave kryesore të plan programit të Partisë Demokratike të Kosovës. Unë do të insistojë vazhdimisht për këtë temë dhe do të jetë çështja me të cilën do të merrem për katër vite. Unë, besoj se do të bëhet qysh në vitin e parë të qeverisjes sonë”, tha Xhemajli për GazetaBlic.