Në vend që të krijojë kushte që mjekët e sapo diplomuar të zhvillojnë profesionin e tyre dhe të kontribuojnë në Kosovë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ua ka hapur edhe më shumë dyertë atyre për të ikur jashtë vendit, shkruan Gazeta Blic.
Përmes një Udhëzimi Administrativ të shkruar me dhjetëra gabime gjuhësore e logjike, ku ndër të tjera është huqur edhe emri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, të cilën në Udhëzim MSh e ka bërë “Ministri të Arsimit, Shkencës e Informacionit”, Ministria e Arben Vitisë ka krijuar një barrierë më shumë dhe të panevojshme për specializimin e mjekëve të ri.

Në nenin 17 të Udhëzimit te pranimi i kandidatëve për Shkollim specialistik, u kërkohët kandidatëvë/mjekëve të ri që për të aplikuar për specializim, ata të kenë së paku 1 vit përvojë pune në drejtimin përkatës: Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Farmaci dhe Psikologji.
Kjo do të thotë se të gjithë ata që diplomojnë në këto drejtime mjekësore, përveç studimeve të gjata, dhe stazhit plus 6 muaj, do të duhet të kërkojnë ku të munden në komuna edhe 1 vit punë që të kënë mundësi pastaj të aplikojnë për shkollim specialistik.

Duke marrë parasysh që Komunat hapin shumë rrallë konkurse për mjekë të përgjithshëm, shumë prej të diplomuarve nuk do të mund të gjejnë punë menjëherë me çka do të presin me vjet për ta marrë specializimin.
Shumica prej tyre në vend të pritjes do të detyrohen të zgjedhin ikjen nga Kosova për shkak të këtij kushtëzimi abusurd në Udhëzim Administrativ, të nënshkruar nga ministri Arben Vitia, thonë burime të Gazeta Blic.
Gazeta ka kontaktuar me disa ish- anëtarë të Bordeve paraprake të Shkollimit Specialistik, të cilët kanë konfirmuar se ky kriter ka qenë i aplikueshëm për herë të fundit në konkusrin e vitit 2009/2010 të Ministrisë së Shëndetësisisë dhe pastaj është hequr pasi është konsideruar barrierë për mjekët e ri dhe duket absurde të kthehet në këtë kohë kur Kosova po përballet çdo ditë me ikjen e mjekëve.
Udhëzimi që prej Ministrit u proklamua si e arritur, do të nxis ikjen e mjekëve të sapo diplomuar nga Kosova, në pamundësi për të punuar dhe marrë specializime në moshë sa më të re.
Disa mjekë të ri që kanë sinjalizuar në kushte anonimiteti për këtë kusht, i thanë gazetës se duke qenë që nuk kanë mundësi të punësohen, me këtë Udhëzim u pamundësohet tash edhe specializimi dhe se do të bisedojnë me kolegët e tyre për të organizuar protesta për shfuqizimin e këtij neni diskriminues dhe mohues të së drejtës për shkollim specialistik.
Ndërkohë, në vazhdim e gjeni njoftimin e plotë të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë:
Ministri Vitia nënshkruan Udhëzimin e ri Administrativ për Shkollim Specialistik
Prishtinë, 17 mars
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ Nr. O1/2023 për Shkollim Specialistik. Udhëzimi i ri do t’i eliminojë mangësitë që kanë qenë të shprehura në udhëzimin e mëparshëm, do të mundësojë një sistem më të mirë të shkollimit specialistik dhe do të rregullojë çështjet e përgjegjësive të specializantëve në raport me respektimin e kontratave të nënshkruara.
Përmes Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2023 është bërë sistematizmimi në klinikat përkatëse, si dhe njëkohësisht është bërë zgjidhja sa i përket mentorëve klinikë.
Bordi për Shkollim Specialistik (BShS) ka përpiluar “Ditarin e Specializantit” dhe, në bashkëpunim me departamentin e Sistemit Informativ Shëndetësor ka përpiluar Databazën apo Modulin Elektronik. Këto metoda do të shërbejnë për monitorimin dhe evidentimin e punës së specializantit gjatë shkollimit specialistik, procedurë kjo që më parë evidentohej në një librezë e cila i ngjan asaj të stazhit postdiplomik.
Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi presim rekomandimin nga BShS për Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim të inicimit të proceduarve për të hapur specializimet e reja.
Numri i specializimeve do të mbështetet në tri kriteret bazë:
· Kuadri deficitar
· Kapacitetet Mentoriale
· Kapacitetet Infrastrukturore.
Përmes UA Nr. 01/2023 për Shkollim Specialistik, për herë të parë përdorën standardet e UEMS, praktikë kjo e njëjtë me shtetet e rajonit dhe Evropës. Kompetencat e akterëve përgjegjës për shkollimin specialistik janë më të qarta, qartësohet procedura e mbikëqyrjes të vijueshmërisë të shkollimit specialistik, përcaktohen kriteret e detajuara për institucionet të cilat kërkojnë leje për shkollimin specialistik, krijohen mekanizmat për kontrollin e cilësisë të shkollimit specialistik. Provimi specialistik me UA-në e re nuk do të jetë formal, por do të përfshijë vlerësimin objektiv të njohurive praktike dhe teorike të fituara gjatë shkollimit specialistik dhe një sërë kriteresh të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me shkollimin specialistik, modalitetet për mbulimin e lëmive deficitare, statusi i neonatologëve, çështja e profilizimeve, etj.


