Lajme

Arben Gashi tregon një bisedë personale me Sabri Hamitin: Ja çfarë më tha pas atentatit

04/17/2023 21:43
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, teksa ishte duke folur për mënyrën se si Kuvendi i Kosovës kishte krijuar Gjykatën Speciale, në një moment u ndal kur tregoi një bisedë personale me ish-deputetin Sabri Hamiti.

Shkrimtari Hamiti më 24 shtator 1998 kishte pësuar një atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani të Prishtinës.

Gashi sqaroi se gjatë bisedës, Hamiti i ka thënë se “kurrë nuk e ka menduar që atë e kanë vrarë shqiptarët”.

Sipas tij, Hamiti ka thënë se nuk e di kush ka qenë dorasi, por e di se urdhërdhënësi ka ardhur nga Serbia.

“Mundem me keqpërdor një moment personal, bisedës me njërin prej njerëzve që ka qenë i plagosur. Gjatë bisedës personale, intime, më ka thënë se ‘unë nuk mundem me mendu kurrë që mua më kanë vrarë shqiptarët, edhe nuk më kanë vrarë, nuk e di kush ka qenë dorasi”, tha Gashi në T7.

“Por s’ka qenë interes kurrë i shqiptarëve të Kosovës me vra Sabri Hamitin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën. Nuk ka qenë interes i shqiptarëve. Ekzekutuesi nuk ka rëndësi. Po e citoj Sabri Hamitin, për mua është me rëndësi urdhërdhënësi, e këtë rast është Serbia”, shtoi ligjvënësi opozitar.