Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku u mbajt seanca solemne e Kuvendit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, bëri thirrje për më shumë bashkëpunim, duke i lënë anash inatet.
“Historinë e kemi të përbashkët, kulturën e kemi të përbashkët, Gjuhën Shqipe e kemi të përbashkët, miqtë e kombit i kemi të përbashkët, figurat kombëtare i kemi të përbashkët, pra krejt i kemi të përbashkët, prandaj në punë e angazhim duhet të jemi bashkë, veçse nëse e largojmë paksa inatet”, tha ai.
Ky bashkim i dy Kuvendeve, sipas tij, është diçka e natyrshme.
“Jemi bërë bashkë jemi ulur bashkë ngase zëri i qytetarëve tanë nga të dyja vendet tona natyrshëm na kërkojnë për të punuar bashkë e për të bashkëpunuar”, tha ai.
Gashi tutje thotë se duhet bashkëpunuar thellësisht mes dy vendeve në fushën e sigurisë, për ta ndërtuar dhe zhvilluar këtë industri.
“Pasi të gjitha na bashkojnë, le ti bashkojmë të gjitha për punë dhe angazhim. Duhet bashkëpunuar thellësisht e praktikisht mes dy vendeve në fushën e sigurisë, mbrojtjes ushtarake, intelegjncës, mbrojtjes ajrore, trafikut ajror e mbi të gjitha industrisë ushtarake duhet ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë industri”