Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka folur për Kuvendin e partisë që do të mbahet të enjten, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për të ardhmen e LDK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka shkruar se, sipas tij, para se të ndryshohet Kosova, duhet të përcaktohet qartë drejtimi i LDK-së.
“Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në”, ka shkruar ai.
Gashi ka theksuar se Kuvendi i LDK-së, i cili do të mbahet të enjten në ora 18:00, nuk është vetëm një mbledhje statutare.
“Të enjten, në ora 18:00, Kuvendi i LDK-së nuk është thjesht një mbledhje statutare. Është momenti kur vendoset drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bashkë me të edhe drejtimi që mund t’i ofrojmë Kosovës në vitet që vijnë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në këtë proces duhet të mbizotërojnë arsyeja, ideali dhe vizioni.
“Ky është çasti kur duhet të mbizotërojnë arsyeja mbi emocionin, ideali mbi interesin e ngushtë dhe vizioni mbi kalkulimet afatshkurtra. Këtu vendosen themelet e LDK-së së së ardhmes: një LDK me identitet të qartë, me lidership të fortë, me vlera të palëkundura dhe me guxim për të udhëhequr”, ka shkruar Gashi.
Ai ka shtuar se vendimet që do të merren në Kuvend do të kenë ndikim edhe në të ardhmen e partisë.
“Vendimet që merren të enjten nuk janë vetëm për sot. Ato do të përcaktojnë mënyrën se si do ta bëjmë politikën, si do t’u shërbejmë qytetarëve dhe si do ta ndërtojmë besimin e ri te LDK-ja”, ka thënë ai.
Në fund, Gashi ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për një LDK të fortë.
“Kosova ka nevojë për një LDK të fortë. Dhe një LDK e fortë fillon me vendime të drejta, të mençura dhe largpamëse. E ardhmja nuk pret. Është koha ta ndërtojmë”, ka përfunduar Gashi.


