Lajme

Arben Gashi: Kjo është “formula” për zgjidhjen e çështjes së veteranëve

06/07/2022 16:34
nga:G B

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria nuk është e gatshme të trajtojë çështjen e veteranëve dhe ata kanë mbetur pa shpresë.

Gashi në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

“Qeveria nuk është e gatshme ta trajtojë në esencë çështjen e veteranëve që dhanë gjithçka për vendin. Sot, ata janë të detyruar që të lënë vendet e punës për të marrë një kompensim mëshire, duke mbetur pa shpresë dhe pa të ardhme. Zgjidhja për ta duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe përmbajtësore”, thotë ai.

Sipas Gashit, nga tregu i punës janë nxjerrë rreth 35 mijë njerëz dhe shumë po ikin nga vendi.

“Rreth 35 mijë njerëz janë nxjerrë nga tregu, duke i pasivizuar ata, efektin ekonomik dhe social e kemi bërë negativ. Nuk duhet të harrojmë se, në njërën anë po na ikin njerëz nga vendi e në anën tjetër janë nxjerrë gjithë këta njerëz tregu i punës”, vlerëson deputeti.

Ai shton se ne duhet të merremi me problemin e tyre, t’ua përmirësojmë jetën.

“Tregu ka nevojë për fuqinë e tyre si dhe ata kanë nevojë për të përmirësuar cilësinë e jetës, sidomos në kushtet e krizave të cilat po jetojmë. Pra, ne duhet të merremi në esencë me problemin dhe jo ta pasivizojmë një pjesë vitale të shoqërisë”, thekson Gashi për Gazeta Blic.

Krejt në fund, ai potencon se veteranëve dhe të gjitha kategorive sociale duhet tu krijojmë mundësi të rritjes së mirëqenies.

“Duhet të mendojmë që veteranëve të luftës dhe të gjitha kategorive sociale t’ju krijojmë mundësi të rritjes së mirëqenies, duke i bërë sa më aktiv në shoqëri”, deklaron Arben Gashi.

Ndryshe, dje Kuvendi i Kosovës dështoi ta miratojë Ligjin për pagën minimale pasi nuk pati kuorum.

Në këtë ligj nuk janë të përfshirë veteranët e luftës. Këta të fundit protestuan para Kuvendit, derisa pati përplasje me Policinë dhe hedhje gazi lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Në anën tjetër, pati përplasje edhe në mes të deputetëve në seancën e Kuvendit, ku opozita kërkon që veteranët të përfshihen në ligjin për pagën minimale.

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj u përplas me deputetët e VV-së për pensionet e veteranëve, derisa tha se plagët janë të njoma. /Gazeta Blic/