Sporti

Arb Manaj shpallet “Ylli i Javës”

12/02/2024 11:37
nga:Lorik J

Sulmuesit të Dritës, Arb Manaj i ka takuar epiteti i futbollistit më të mirë për xhiron e 15-të në Superligën e Kosovës.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar të hënën se Manaj e ka fituar çmimin “Ylli i Javës”, i cili ndahet për lojtarin më të mirë pas përfundimit të secilës xhiro.

Komisioni i veteranëve të futbollit, ka vlerësuar sulmuesin Manaj si më të mirin, pasi vulosi fitoren e Dritës në derbin kundër Ballkanit, ndeshje kjo e luajtur në Suharekë.

Drita fitoi me rezultatin 3:2, ndërsa Manaj asistoi në golin e dytë dhe shënoi të tretin për ekipin nga Gjilani, i cili është forcuar në krye të tabelës dhe po marshon drejt titullit të kampionit.

Aktualisht, Drita është shkëputur në krye të tabelës me tetë pikë më shumë se përcjellësi më i afërt.

Pasi pranoi çmimin “Ylli i Javës”, Manaj u shpreh tejet i lumtur qe u vlerësua si më i miri i xhiros.

Ai u shpreh i kënaqur me paraqitjen e tij individuale, por shtoi se gjëja më e rëndësishme është se po e ndihmon skuadrën e Dritës.

Manaj falënderoj bashkëlojtarët e tij dhe u shpreh se synimi i Dritës është që deri në fund të sezonit të vazhdoj me këtë formë të mirë.