Gjykata e Apelit e ka hudhur si të paafatshme aktakuzën ndaj ish- zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, Krenare Koqi, Fatmir Memaj, Enver Bytyqi dhe Refki Muzbeg të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe Agron dhe Valbon Kastrati, të akuzuar për dëmtim dhe uzurpim të pronës së monumentit fetar “Teqe Melami”.
Gjykata e Apelit e mori këtë vendim, pasi ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Agron Kastrati, avokatit Labinot Murati dhe mbrojtësit të të akuzuarit Valbon Kastrati, avokatit Shkëlzen Feka, ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, më 8 korrik 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Themelorja i kishte cilësuar kërkesat e të pandehurve si të pabazuara për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli ka theksuar se gjykata e shkallës së parë ka interepretuar gabimisht dispozitat ligjore dhe se Prokuroria Themelore në Prizren ka tejkaluar afatin për ngritjen e aktakuzës.
“Ashtu si me të drejtë theksojnë mbrojtësit e të pandehurve Agron Kastrati, av.Labinot Murati dhe Valbon Kastrati av.Shkëlzen Fekan në ankesë, rezulton se Prokuroria Themelore në Prizren në rastin konkret ka tejkaluar afatin ligjor për zhvillimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës, ndërsa gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e ankimuar gabimisht ka interpretuar dispozitën e nenit 159 par. 1 të KPP-së, sipas të cilës dispozitë shprehimisht përcaktohet se “Kur fillohet hetimi, hetimi përfundon brenda dy (2) viteve. Nëse brenda dy (2) viteve nga fillimi i hetimit paraprak nuk është ngritur aktakuzë, ose nuk është pezulluar hetimi sipas nenit 157 të këtij Kodi, hetimi menjëherë pushohet…” thuhet në arsyetimin e Apelit.
Sipas Apelit, prokuroria ka vepruar në kundërshtim me dispozitën 159, par.1 dhe 2 të KPP-së, pasi që fillimi i zhvillimit të hetimeve ishte bërë më 13 dhjetor 2019, kurse aktakuza ishte ngritur më 17 dhjetor 2021, e që kishin kaluar më tepër se dy vjet, saktësisht 2 vite e 4 ditë.
Gjithashtu, në vendim thuhet se prokuroria nuk kishte kërkuar afat shtesë për zgjatjen e hetimeve.
Në Gjykatën e Apelit, ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë në afat ligjor kishin ushtruar edhe të akuzuarit Thaçi, Memaj, mbrojtësit e të akuzuarve Muzbeg, avokati Arben Shala, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe hudhjen e aktakuzës në mungesë të provave.
Apeli ka theksuar se vendimi për hudhjen e aktakuzës si të paafatshme është marrë në dobi të të gjithë të akuzuarve ndaj të cilëve është ngritur aktakuza edhe pse ankesë në këtë drejtim kishin ushtruar vetëm mbrojtësit e të akuzuarve Kastrati, avokatët Murati dhe Feka.
“Kolegji çmon se vendimi në dobi të akuzuarave Agron dhe Valbon Kastrati për çështje e afatshmërisë së aktakuzës, nuk është i natyrës personale, konsiderohet edhe në dobi të bashkakuzuarve tjerë pasi që hetimet kanë filluar me një aktvendim dhe aktakuza është ngritur në të njëjtën kohë si e përbashkët, edhe pse të akuzuarit e tjerë në këtë çështje penale nuk e ka paraqitur ankesë në këtë drejtim, Gjykata në kuptim të nenit 397 te KPP-së mbi bazën e institutit Beneficium Cohasionis sipas detyrës zyrtare veproi sikur ankesa të ishte paraqitur edhe në këtë aspekt”, thuhet në vendim.
Ndryshe, sipas aktakuzës, më 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, Islam Thaqi në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, Fatmir Memaj në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, Refki Muzbeg në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizreni, Enver Bytyqi si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe Krenare Koqi në cilësi të shefes së kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare.
Aktakuza thotë se në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët Agron dhe Valbon Kastrati, dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit të 3 dhjetorit 2018, ndërprejnë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim.
Po ashtu, thuhet se u kanë lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami”, duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.
Me këto veprime, të akuzuarit ngarkoheshin se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 dhe 2.2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndërsa, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati thuhet se më 8 maj 2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1, nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.
Me këto veprime, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, nga neni 354, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, aktakuza thotë se të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati, prej 8 majt 2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2.
Me këto veprime, të pandehurit ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” neni 332, paragrafi 2, pika 2.1 e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.


