Lajme

AP: Ballkani caku i ardhshëm i Rusisë?

03/10/2022 14:12
nga:Astrit Gashi

Do të ishte e vështirë për trupat ruse të arrinin në Ballkan pa u përballur me forcat e NATO-s të stacionuara në të gjitha vendet fqinje, por Moska mund të destabilizojë rajonin, siç bën tashmë, me ndihmën e Serbisë, aleatit të saj të cilin e ka armatosur me tanke, sisteme të sofistikuara të mbrojtjes ajrore dhe aeroplanë luftarakë, vlerësohet në një shkrim të agjencisë së lajmeve, Associated Press.

Kremlini e ka konsideruar gjithmonë rajonin si sferë të ndikimit rus, përkundër faktit se Ballkani nuk ka qenë kurrë pjesë e bllokut sovjetik.
Agjencia përkujton se luftërat shkatërruese në vitet 90 rezultuan me të paktën 120.000 të vdekur dhe miliona të pastrehë.

Serbia, shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor, fajësohet për fillimin e luftës duke u përpjekur të parandalojë shpërbërjen e Jugosllavisë së udhëhequr nga serbët me forcë brutale – një lëvizje që i ngjan përpjekjes aktuale të Moskës për të tërhequr Ukrainën në orbitën e saj me forcë ushtarake. Në Perëndim ekziston frika se udhëheqja serbe pro-Moskës, e cila ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, mund të përpiqet të përdorë vëmendjen e përqendruar në Ukrainë për të destabilizuar më tej fqinjët e saj, veçanërisht Bosnjën, ku serbët e pakicës kanë kërcënuar të ndahen nga federata e përbashkët për t’iu bashkuar Serbisë, shkroi AP.

Zyrtarët serbë kanë mohuar vazhdimisht se po ndërhyjnë në shtetet fqinje, por kanë dhënë mbështetje të heshtur ndaj lëvizjeve secesioniste të serbëve të Bosnjës dhe liderit të tyre, Milorad Dodik. Ambasada ruse në kryeqytetin boshnjak Sarajevë paralajmëroi vitin e kaluar se nëse Bosnja merr hapa drejt anëtarësimit në NATO, “Rusia do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”.

AP më tutje shkruan se edhe Kosova ka kërkuar nga SHBA-ja që të vendos një bazë të përhershme ushtarake në vend dhe të përshpejtojë integrimin e saj në NATO pas agresionit në Ukrainë nga Rusia.

“Përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe pasja e një baze të përhershme të forcave amerikane është një nevojë imediate për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar në Facebook ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.
Në anën tjetër, Serbia ka thënë se kjo lëvizje është e papranueshme.

Ndërsa Mali i Zi, një ish-aleat që ia ktheu shpinën Rusisë për t’u bashkuar me NATO-n në vitin 2017, ka vendosur sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë dhe shihet si shteti i radhës në Ballkanin Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE. Vendi është i ndarë mes atyre që favorizojnë politikat pro-perëndimore dhe kampeve pro-serbe dhe pro-ruse.

Rusia e ka paralajmëruar vazhdimisht presidentin properëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili udhëhoqi shtetin e vogël të Adriatikut në NATO, se ky veprim ishte i paligjshme dhe pa pëlqimin e të gjithë malazezëve, konstaton AP.