Lajme

Anulimi i konkursit në KEK, Halimi: LDK do ta përcjellë me kujdes të shtuar mbarëvajtjen e këtij konkursi

05/06/2022 20:22
nga:Genita C

Zëdhënsja e LDK-së, Sibel Halimi ka komentuar anulimin e konkursit për punësim në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku thotë se për skandalin e punësimeve, kjo parti kishte reaguar kohë më parë.

Sipas Halimit, LDK do ta përcjellë me kujdes të shtuar mbarëvajtjen e këtij konkursi si dhe të çdo konkursi tjetër ku sipas saj qytetarët meritojnë drejtësi, raporton GazetaBlic.

POSTIMI I PLOTË:

Sot, KEK-u njoftoi se konkursi i punësimit kthehet në rivlerësim. LDK, për skandalin e punësimeve në KEK kishte reaguar me kohë, ku për më tepër kishte deponuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pasi që kishte vlerësuar se 128 të pranuarit nga konkursi kanë lidhje familjare me zyrtarët në këtë ndërmarrje si dhe janë militantë e të afërm me partinë në pushtet. Ndërsa më shumë se 4500 personave të tjerë të cilët kishin aplikuar në të njëjtin konkurs u ishte bërë e padrejtë dhe ishin penalizuar për shkak të mosafërsisë me zyrtarët e KEK-ut dhe me pushtetin. Vendi ynë dhe qytetarët tanë meritojnë drejtësi, ndaj ne do të jemi bashkë me ta në këtë të drejtë të merituar. LDK do ta përcjellë me kujdes të shtuar mbarëvajtjen e këtij konkursi si dhe të çdo konkursi tjetër. LDK do të zhvilloj një betejë të paepur në mbrojtje të të gjithë atyre që u mohohet e drejta në të gjitha rastet.