Anulimi i golit të Griezmann pas verifikimit në VAR, pas përfundimit të ndeshjes kundër Tunizisë (1-0), bëri që skuadra franceze të përgatiste një ankesë zyrtare për vëmendjen e FIFA-s.
Skuadra franceze ishte e sigurt se kishte barazuar, pas krosimit të Aurelien Tchouameni, me topin që u shty në rrjetë nga Antoine Griezmann.
Në konferencën për shtyp, trajneri i bluve Didier Deschamps kishte shprehur dyshime: “Arbitri ka bilbil për fillimin dhe fundin e ndeshjes. A ka të drejtë ti rikthehet rastit? Unë nuk jam i sigurt. Sipas protokollit të VAR, nëse loja rifillon pasi është ndërprerë, gjyqtari nuk mund të bëjë një analizë, përveç në rast të një shkeljeje skualifikuese si sjellje e dhunshme etj”.