Sporti

Antonio Conte dënohet me dy ndeshje pas kartonit të kuq të marrë ndaj Interit

01/13/2026 16:34
nga:Mergim Rreci

Dy ndeshje pezullim nga gjykatësi sportiv i Serie A për trajnerin e Napolit, Antonio Conte, i cili u ndëshkua me karton të kuq në fundin e sfidës me Interin të dielën e kaluar. Ai nuk mund të jetë në stol për ndeshjet kundër Parma dhe Sassuolo.

Për skualifikimin e trajnerit të Napolit, motivi është ky: “Për faktin që në minutën e 26-të të pjesës së dytë iu drejtua me fraza të padenja zyrtarëve të ndeshjes. Pas ndëshkimit goditi fort një top, iu afrua në mënyrë intimiduese gjyqtarit të 4-t, duke protestuar hapur dhe duke përdorur sërish fraza të pahijshme. Këtë sjellje e ka pasur edhe në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes, duke sulmuar zyrtarët e ndeshjes”.

Conte u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Daniele Doveri në momentin pas dhënies së penalltisë në favor të Interit, ku Rrahmani shkeli Mkhitaryan. Trajneri e kundërshtoi vendimin që erdhi pas rishikimit në VAR. Ai iu drejtua para fytyrës arbitrit të 4-t Colombo me fjalën: “Turp!”