Psikologu, Yll Avdijaj, ka folur rreth depresionit dhe ankthit tek adoleshentët. Ai tregon se cilat janë simptomat e depresionit dhe ankthit, si dhe si bëhet trajtimi i tyre.
“Depresioni tek adoleshentët zakonisht paraqitet me simptoma si: rënie e motivit, vështirësi në koncentrim, gjendje e pikëllimit dhe rënie e disponimit, humbje e interesit në gjërat jetësore, humbja e apetitit, mendime negative, rënia e vetëbesimit, izolim”, tha ai në një prononcim për Gazeta Blic.
Ai tutje tregon dhe disa simptoma të cilat mund të jenë depresive.
“Prapa simptomave depresive shpeshherë fshihen konflikte të cilat mund të jenë aktuale ose edhe me bazë në fëmijëri të hershme, si p.sh.: raportet jo të mira me prindërit, konfliktet familjare, neglizhenca emocionale, qortimet, kritikat e ashpra, ndëshkimet, presioni psiko-emocional, mungesa e mbështetjes, dashurisë, bullizmi në shkollë”, u shpreh Avdijaj.
Krahas kësaj, psikologu thotë se adoleshentët të cilët përballen me ankth dhe depresion, tregon se ku duhet të kërkojnë trajtim.
“Për adoleshentët të cilët po përballen me ankth dhe depresion, dera e parë e cila duhet të trokitet është psikologu klinik, psikiatri dhe psikoterapisti, në mënyrë që kjo gjendje të trajtohet duke i dhënë mundësi reduktimit të simptomave, menaxhimin e gjendjes dhe rikthimin e funksionit në jetën e përditshme”.
Psikologu Avdijaj tutje shton se prindërit kanë një rol të rendësishëm në rritjen, zhvillim dhe edukimin e fëmijës. Ai thotë se mungesa e njërit prind apo të dy prindërve mund të ndikojë në gjendjen psiko-emocionale.
“Prindërit e kanë një rol shumë të rendësishëm në rritjen, zhvillimin dhe edukimim e fëmijëve. Mungesa e njërit prind apo edhe të dy prindërve, fëmijëve mund t’u ndikojë në gjendjen e tyre psiko-emocionale. Nuk nënkupton vetëm mungesa fizike por edhe ajo e mbështetjes psiko-emocionale”, deklaroi ai për Gazeta Blic.
Po ashtu, psikolgu potencon se mungesa e besimit, dashuria, dëgjimi, mbështetja, mund ta dërgojnë fëmijën deri në ankth dhe depresion.
“Fëmija gjatë procesit të rritjes dhe zhvillimit njëkohësisht ka disa nevoja të cilat kërkohen për t’u plotësuar, si: kontakti fizik, siguria, besimi, dashuria, dëgjimi, mbështetja, etj., dhe në rast te mungesës së plotësimit të këtyre nevojave, padyshim se te fëmijët do të fillojnë të paraqiten stresi, ankthi, madje edhe depresioni”, tha ai.
“Ankthi dhe depresioni janë mjaft aktuale dhe në rritje, si te gjeneratat e reja e po ashtu edhe te moshërriturit; për arsye si: faktorët biologjik, konfliktet familjare, gjendja psiko-sociale, faktorët ekonomik, mjedisi dhe ambienti”, tha psikologu Yll Avdijaj./Gazeta Blic/