Redaktori i Sky News, Dominic Waghorn bëri një analizë interesante për samitin e rëndësishëm të NATO-s, i cili u zhvillua këtë javë në Madrid.
Sipas Waghorn, negociatat nuk ishin të lehta, por NATO përjetoi ndryshimin më të madh në dekadat e fundit, përcjellë GazetaBlic.
E nxitur nga sulmi i paprovokuar ndaj Ukrainës, Aleanca bëri transformim në samitin e planifikuar me kujdes. Kërcënimi për imazhin e Aleancës së ndarë u eliminua në momentin e fundit me anë të marrëveshjes, falë së cilës Turqia hoqi dorë nga vetoja për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Një tjetër arritje në Samitin e NATO-s është plani për të rritur në mënyrë dramatike numrin e trupave të NATO-s në Forcën e Veprimit të Shpejtë nga 40.000 mijë pjesëtarë deri në 300.000 sosh. Ky plan është ende mendim i dëshiruar, por ai duhet të transformojë aftësinë e NATO-s për t’iu përgjigjur shpejt emergjencave.
Mijëra trupa shtesë do të vendosen në krahun lindor të NATO-s. Britania ka njoftuar se do të angazhojë edhe 1000 trupa shtesë për mbrojtjen e Estonisë, megjithëse ato, në mënyrë disi konfuze, do të mbesin të stacionuara në Britani, por duhet të jenë gati për veprim të shpejtë nëse lind nevoja.
Udhëheqësit e NATO-s kanë theksuar vazhdimisht se falë të gjitha gjërave që u përmenden më sipër, presidenti rus, Vladimir Putini do të marrë pikërisht atë që nuk dëshiron. Presidenti rus e nisi luftën, pretendojnë diplomatët e tij, pjesërisht për të ndaluar zgjerimin e NATO-s.
Tani po ndodh diçka diametralisht e kundërt.
Ankthi i tij më i madh po bëhet realitet: një NATO edhe më e madhe, me anëtarë të rinj dhe me më shumë ushtarë dhe armë në kufijtë rusë, thekson redaktori i Sky News.
Këto ndryshime vetëm sa do të ndezin më tej pasigurinë historike të Rusisë për krahun e saj të hapur perëndimor, i cili historikisht është sulmuar nga pushtuesit e mundshëm nga Napoleoni te Hitleri. Por Putin mund të fajësojë vetëm veten për këtë.
Dy vende që krenoheshin me traditën e tyre të neutralitetit, Suedia dhe Finlanda, u tronditën aq shumë nga agresioni i Putinit kundër Ukrainës, saqë nxituan për t’u bashkuar me NATO-n. Vendet baltike, duke parë se çfarë ndodhi me Ukrainën, kërkuan ndihmën më konkrete të mbrojtjes nga NATO.
Pas viteve të tëra të “ledhatimit” të Putinit, NATO tani beson se forca dhe vendosmëria janë mënyra më e mirë për të frenuar një Rusi agresive.
Një pozicion i ri i NATO-s është ndoshta i nevojshëm, por ai nuk do ta bëjë situatën aktuale më pak të rrezikshme. Një perde e re e hekurt po vendoset mbi Evropë, konfirmoi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Hendeku midis Perëndimit demokratik dhe Lindjes autokratike po zgjerohet, nënvizon Waghorn, përcjellë Gazeta Blic.


