Futbolli kosovar po kalon në një moment krize.
Federata e Futbollit të Kosovës po kalon në ditë të ‘vështira‘ pas dy lajmeve aspak të mira që mori brenda kësaj jave, shkruan GazetaBlic Sport.
Fillimisht FFK humbi betejën me FC Prishtinën pasi këta të fundit u ankuan në KAS [Këshilli i Arbitrazhit Sportiv] për mos-licensimin në gara evropiane për sezonin 2022/23.
Prishtina nuk licencohet për garat evropiane, akuzon FFK-në
Pas këtij vendimi klubi nga kryeqyteti ka deklaruar se i janë ‘hapur dyert’ ligjore për padi ndaj FFK-së për të kërkuar kompensimin e dëmit material, moral dhe prishjen e imazhit të klubit.
Ky vendim nuk i pëlqeu institucionit kryesor të futbollit në Kosovë duke reaguar në Facebook ku e cilësuan vendimin si jo të plotë pasi nuk ishte nënshkruar nga të gjithë antarët e komisionit.
“Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka pranuar me shqetësim vendimin e fundit të marrë nga Këshilli për Arbitrazh Sportiv (KAS) në kuadër të KOK-ut, i cili përmban parregullsi të shumta ligjore dhe procedurale. FFK e sheh të nevojshme të njoftojë publikun dhe komunitetin sportiv mbi disa aspekte të vendimit dhe të vë në dukje se ky vendim cenon parimet e drejtësisë sportive dhe dëmton zhvillimin e sportit në përgjithësi, dhe futbollit në veçanti.
Fillimisht, vendimi i KAS-it nuk është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e tij. Këtë vendim nuk e ka nënshkruar z. Fisnik Salihu, i cili është anëtari më i kualifikuar për interpretime ligjore në arbitrazh sportiv në kuadër të këtij paneli. Kjo e bën të qartë se vendimi nuk përfaqëson qëndrimin e të gjithë anëtarëve të panelit dhe reflekton mosmarrëveshje të brendshme. Vendimi është nënshkruar vetëm nga znj. Jehona Shyti, sekretare e z. Eroll Salihu dhe nga anëtari i KAS-it, i emëruar nga FC Prishtina. Kjo përbën konflikt interesi, pasi z. Salihu, i cili është shpesh i përfshirë në akuza ndaj FFK-së dhe aktualisht është në procedura gjyqësore kundër saj, ka caktuar si kryesuese të panelit sekretaren e tij, znj. Shyti”, shkruhet ndër të tjerash në reagimin e FFK-së.
Pa kaluar shumë kohë nga kjo ngjarje, Feronikeli ’74 njoftoi se po largohet nga gara në Superligën e Kosovës dhe jo vetëm, duke u tërhequr edhe nga të gjitha garat e grupmoshave të reja.
Ky vendim do të linte shumë ‘kaos’ në futboll ku skuadra të ndryshme do të dëmtohen nga largimi i Feronikelit 74 pasi të gjitha pikët e fituara nga kundërshtarët kundrejt skuadrës nga Drenasi do të bëhen të pavlefshme.
Skuadrat si; Ballkani, Llapi dhe Suhareka kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhur me rastin, kurse ende nuk ka asnjë reagim nga Federata e Futbollit të Kosovës.
FC Suhareka reagon pas vendimit të Feronikelit 74 për t’u tërhequr nga Superliga e Kosovës
Llapi reagon pas vendimit të Feronikelit 74 për largim nga gara në Superligën e Kosovës
Tutje edhe Ferizaj u ankua për raste kontraverse të gjyqtarit Jashari në ndeshjen ndaj Malishevës.
Skuadra e Feronikelit 74 ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për media në ditën e sotme me fillim nga ora 14:30, atje ku me shumë gjasë do të ketë edhe një tjetër qëndrim zyrtar.
/GazetaBlic Sport/