Që nga fillimi i vitit të ri shkollor 2021/22 nxënësit e nivelit parashkollor po ballafaqohen me mungesën e teksteve shkollore. E për mungesën e librave shkollor, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Nagavci në reagimin e saj publik akuzoi drejtoritë komunale të arsimit për mungesën e librave shkollor, duke thënë se nuk e kanë bërë kërkesën e saktë në raport me numrin e nxënësve.
“Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, kishte thënë Nagavci ditë më parë.
Lidhur me këtë temë gazeta ka kontaktuar me kryetarin e Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti.
Reshiti në deklaratën e dhënë tha se zyrtarët arsimor nuk e kanë bërë planifikimin e saktë, dhe se kjo është papërgjegjësi nga ana e tyre.
“Jo vetëm ne si Këshill i Prindërve por tashmë janë edhe publike ankesat që i shprehin prindërit për shkak se përkundër vendimit të Ministrisë së Arsimit që librat shkollor për shkollat fillore jepen falas, shteti ose ministria i ofron, ata po detyrohen që të njëjtit libra t’i blejnë për shkak se sipas informacioneve që kemi edhe Ministria që është marrë me këtë problem del se zyrtarët arsimit të komunave qofshin drejtor të shkollave ata, nuk e kanë bërë planifikimin e saktë, të drejtë. Dhe si pasojë e mos përgjegjësisë së tyre ose neglizhencës ka ardh deri të mungesa që po shfaqet në shumë shkolla për libra të cilat ministria i ofron, kurse realiteti është se ato tashmë mungojnë dhe duhet t’i blejnë prapë”, ka thënë ai për Telegrafin.
Më tej, Reshiti tha se shpërndarjen e librave e kanë përcjellë që nga viti 2018, dhe se çdo herë janë paraqitur probleme me mungesa të tilla.
“Ne si Këshill i Prindërve e kemi përcjell këtë shqetësim apo shpërndarjen e librave që nga viti 2018, dhe kemi parë në vazhdimësi se shpërndarja e librave bëhet keq. Çdo vit paraqiten mungesa e pajisjeve të librave të cilat jepen falas. Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me papërgjegjësi të zyrtarëve të arsimit të cilët bëjnë planifikimin e pajisjeve të nxënësve me libra”, u shpreh ai.
Reshiti tha se kanë kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci që të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve arsimorë të cilët nuk kanë raportuar saktë për numrin e nxënësve dhe librave që duhen.
“Ne si Këshill i Prindërve i jemi drejtuar me e-mail zyrtar ministres së Arsimit, që menjëherë të marrë shënimet dhe të listojë shkollat, komunat të cilat kanë këto probleme dhe të bëhen publike. Si dhe të angazhojë inspektorët e arsimit dhe të kërkojë përgjegjësi për të gjithë ata drejtues të institucioneve shkollore që nuk kanë qenë në nivel detyre në planifikimin e pajisjeve me libra shkollor falas. Dhe se ata kanë cenuar të drejtën e nxënësve të arsimit fillor, dhe kanë ndikuar që procesi mësimor të shtyhet përkundër që ka fillu në shtator. Mirëpo në mungesë të librave ende është një problem dhe e fundit është që e dëmton buxhetin familjar të nxënësve”, pohoi mes tjerash ai.
Kryetari i Këshillit të Prindërve tha se problem tjetër është se disa shkolla kanë marrë më shumë libra sesa duhet dhe nuk i kanë shpërndarë ato te shkollat e tjera. Siç tha ai, dyshimi i tyre është se dikush po keqpërdor me libra, dhe se prindërit po detyrohen të blejnë libra për fëmijët e tyre.
Ndryshe, viti i ri shkollor ka filluar me disa javë vonesë për shkak të situatës epidemiologjike. Nxënësit janë rikthyer në bankat shkollore më 27 shtator, ku sipas vendimit të Qeverisë në klasë nuk lejohen më shumë se 20 nxënës.