Lajme

Ankesa të shumta për furnitorët në kryeqytet, nga e hëna Komuna fillon inspektimet e rregullta

10/19/2023 13:50
nga:N K

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi, ka njoftuar se Inspektorati i kryeqytetit që nga e hëna do të fillojë inspektimet e rregullta në terren për të parë nëse po respektohet vendimi, sipas të cilit kufizohet orari i qarkullimit të mjeteve transportuese të mallrave.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Dushi ka thënë se kryetari i Komunës, Përparim Rama dhe Inspektorati, kanë pranuar numër të madh të ankesave lidhur me këtë çështje.

“Kryetar i Kryeqytetit, por edhe Inspektorati në kryeqytet, gjatë kësaj periudhe ka pranuar numër të madh të ankesave nga shumë qytetarë të Prishtinës mbi vështirësitë por edhe problemet e shumta që transportuesit e mallrave – furnitorët janë duke shkaktuar në zona të ndryshme në kryeqytet gjatë qarkullimit të tyre por edhe gjatë parkimit dhe zbrazjes së mallrave në destinacionet përkatëse. Prandaj, përmes këtij Njoftimi, dhe kohës që kemi dhënë për riorganizimin e furnizimeve të tyre, Inspektorati i Kryeqytetit kërkon nga të gjitha subjektet afariste që të respektohet ky orar, përndryshe ne do të jemi të detyruar që të ndërmarrim masa në përputhje me Vendimin e kryetarit por edhe kornizën ligjore në fuqi”, shkroi ai.