Lajme

Ankesa e PDK-së, Gjykata Kushtetuese shfuqizon 13 ligje

01/09/2026 16:04
nga:Y I

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e paraqitura nga dymbëdhjetë deputetë të Kuvendit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit për miratimin e 15 ligjeve më 5 dhjetor 2024.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata ka vendosur që 12 nga vendimet e kontestuara të Kuvendit nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Vendimet që Gjykata i ka shpallur jokushtetuese janë ato përmes të cilave janë miratuar këto ligje:

Ligji për Shërbimet e Pagesave;

Ligji kundër dukurive negative në sport;

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit;

Ligji për provimin e maturës shtetërore;

Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm;

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim;

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale;

Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;

Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore;

Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;

Ligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.

Kurse, në aktgjykimin tjetër e ka shfuqizuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke konstatuar se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar, si dhe vendimi për miratimin e Ligjit, është në kundërshtim me nenet e Kushtetutës: [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 7 [Vlerat], 74 [Ushtrimi i funksionit], 76 [Rregullorja e punës] dhe 77 [Komisionet] të Kushtetutës.

Ndërkaq, Gjykata ka vendosur se tre vendime të Kuvendit janë në përputhshmëri me Kushtetutën, përkatësisht vendimet për miratimin e:

Ligjit për Bankat;

Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut;

Ligjit për Gjykatën Administrative.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se, për ligjet e shpallura jokushtetuese, procedurat e ndjekura nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese që rregullojnë ushtrimin e funksionit të deputetëve, rregulloren e punës dhe rolin e komisioneve parlamentare.

Aktgjykimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave të bashkuara KO246/24 deri KO260/24, të parashtruara nga deputetët e PDK-së, dhe është miratuar më 9 janar 2026.

Aktgjykimi i plotë