Lajme

Anglia në alarm, publikohet raporti sekret: 40% e emigrantëve me gomone janë nga Shqipëria

08/06/2022 20:42
nga:Arsim Buxhovi

Media britanike DailyMail ka publikuar një raport sekret të ushtrisë britanike, që zbulon se 40% e emigrantëve që kanë kaluar me gomone janë nga Shqipëria.

Gjithsej 1075 shqiptarë kaluan Kanalin e “La Mansh-it”, që ndan Britaninë e Madhe nga kontinenti europian, me varka të vogla të organizuara nga bandat e kontrabandës së njerëzve gjatë një periudhe 6 javore këtë verë, ndërsa vitin e kaluar gjithsej 757 shqiptarë kaluan me gomone, sipas shifrave zyrtare të qeverisë britanike.

Bandat shqiptare thuhet se po blejnë gomone të fuqishme nga fabrikat kineze dhe po i përshtatin ato duke u kërkuar firmave kineze t’i bëjnë ato më të mëdha për të vendosur sa më shumë emigrantë në bord.

Ekspertët besojnë se kalimet po ushqehen nga mediat sociale, me kontrabandistët që reklamojnë shërbimet e tyre në TikTok dhe paguajnë deri në 5,500 paund për person. Ndërkohë, një oficer ndërlidhës i policisë shqiptare do të vendoset në Dover për të ndihmuar në trajtimin e problemit në rritje, por raportohet se ka mungesë të përkthyesve shqiptarë për të ndihmuar.