Lajme

‘Anëtarësimi në KiE po kushtëzohet me Asociacionin’, Lama: Deklarata e Kurtit e pasinqertë, e ka pranuar implementimin në ‘Marrëveshjen e Brukselit’

05/10/2024 10:09
nga:Y I

Me 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, votoi pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Pas votimit të Asamblesë Parlamentare çështja kaloi në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës.

Por fatkeqësisht Kosova nuk është futur në agjendën e Këshillit të Ministrave duke e vështirësuar edhe më shumë rrugën drejt anëtarësimit.

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama.

Lama tha se tashmë është e qartë se Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave me 16 dhe 17 maj pasi nuk u plotësuan kërkesat.

Ajo tha se ka patur kërkesë të qartë për t’u marrë hapa konkret për implementimin e Asociacionit gjë që qeveria e Kosovës nuk e bëri.

“Unë mendoj se tashmë është e qartë se Kosova nuk është pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave me 16 dhe 17 maj. Kjo për faktin se Kosova nuk i plotësoi kërkesat për të qenë pjesë e agjendës së këtij takimi. Kemi patur kërkesë të qartë nga ana e vendeve të QUINT-it përkatësisht Gjermania, Italia dhe Franca që Kosova të ndërmerrte ndonjë hap në lidhje me implementimin e Asociacionit, gjë që qeveria e Kosovës nuk e ka bërë dhe si duket kjo është arsyeja që Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës që do të thotë që nuk do të ketë votim për Kosovën dhe votimi shtyhet. Se deri kur shtyhet kjo mbetet e paqartë dhe pavarësisht se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka votuar raportin, kjo nuk është e mjaftueshme sepse në bazë të Statutit të Këshillit të Evropës, vendimin përfundimtar e merr Komiteti i Ministrave”

“Kështu që çdo interpretim tjetër që vjen nga ana e Qeverisë që thonë se “meqë Asambleja Parlamentare e ka votuar tani qeveritë duhet të dëgjojnë zërin e Asamblesë Parlamentare” është thjesht propagandë sepse nuk funksionon kështu. Vendimin përfundimtar e merr Komiteti i Ministrave që do të thotë se e marrin qeveritë përkatëse të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Sigurisht se Komisioni Parlamentar dhe Asambleja Parlamentare ishin hapa ne proces, janë të përcaktuara me Statut dhe pa i kaluar ato nuk do të mund të kalonte as në hapin e tretë që është Komiteti i Ministrave mirëpo vulën përfundimtare sipas Statutit e jep ky Komitet dhe nuk është i detyruar që të marrë parasysh votimin e Asamblesë Parlamentare” deklaroi Lama në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

Ish-ambasadorja, Lama, foli edhe në lidhje me deklaratën e fundit të kryeministrit Kurti se ‘anëtarësimi në KiE po kushtëzohet me Asociacionin’

Ajo tha se një deklaratë e tillë është e pasinqertë pasi ky kushtëzim ka kohë që i është bërë qeverisë së Kosovës.

“Deklarata e kryeministrit në mbledhjen e Qeverisë se anëtarësimi i Kosovës në KiE po kushtëzohet me Asociacionin është deklaratë një deklaratë tërësisht e pasinqertë sepse ky kushtëzim dhe kjo kërkesë ka kohë që i është bërë qeverisë së Kosovës. Realisht prej se hyri në proces të votimit në Asamblenë Parlamentare ne kemi parë ambasadorët e QUINT-it që i kanë shkuar në zyrë kryeministrit, presidentes, kryetarit të parlamentit dhe kanë zhvilluar takime me ta por ka patur mungesë transparence nga ana e qeverisë për të marrë vesh se cila është kërkesa dhe cili është kushtëzimi. Kjo mungesë transparence ka qenë deri dje kur deklaroi publikisht, kur si duket nuk ka më hapësirë veprimi dhe manipulimi kur deklaroi se ‘na kanë kushtëzuar por ne nuk e pranojmë këtë kushtëzim’.

Lama tha se qeveria e Kosovës nuk ka arritur të bëhet e besueshme para vendeve të QUINT-it.

“E para është mungesa e transparencës, e dyta është dështimi i qeverisë së Kosovës për t’i bindur dhe për të krijuar besueshmëri që për procesin e Asociacionit keta mund të ndërmarin hapa politik pas votimit ose anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Nuk kanë arritur t’ua mbushin mendjen dhe të bëhen të besueshëm para këtyre vendeve që me të vërtetë do ta implementojnë këtë proces dhe duket që dyshimi që kanë patur vendet e QUINT-it, ka qenë i bazuar sepse siç u pa nuk ka vullnet politk për të ndërmarrë ndonjë veprim dhe tani deklaratat e kryeministrit për t’ua hedhur fajin vendeve të QUNIT-it dhe për t’i barazuar me ato shtete armike siç ai i quajti, mendoj se është një lloj papjekurie politike dhe diplomatike sepse nuk mund të flitet me këtë gjuhë”

“Eshtë terësisht e pasinqertë sepse kryeministri i Kosovës e ka pranuar Asociacionit e ka pranuar në ‘Marrëveshjen e Brukselit’ dhe në ‘Aneksin e Ohrit’ një vit më parë, që do ta implementoj marrëveshjen e 2013, që është bazë për Asociacionin, por ka shkuar edhe më tej, duke garantuar për vetmenaxhimin të komunitetit serb dhe draft-statutin të cilin e quajti “non paper” është sërish në kuadër të manipulimit sepse ai është një dokument i Bashkimit Evropian që e ka pranuar dhe që duhet t’i nënshtrohet tani procedurave të shtetit të Kosovës. Kosova ka humbur dyfish sepse e para ka pranuar që do të implementohet Asociacionin në nivelin e vetmenaxhimit për komunitetit serb dhe nga ana tjetër nuk pranon tani, do ta bëj më vonë, siç bëri me vendimin për Manastirin e Deçanit por më vonë nuk do ta ketë shansin që ndoshta të anëtarësohet në Këshillin e Evropës” deklaroi Lama në intervistën dhënë për “Gazeta Blic”.