Lajme

Anëtarësimi në KiE, Austria inkurajon Kosovën të ndërmarrë hapa sa i përket Asociacionit

05/10/2024 17:21
nga:Sh R

Përveç shteteve të QUINT-it, Kosovës po i kërkohet edhe nga shtete të tjera të Bashkimit Evropian që të marrë hapa vendimtarë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që të sigurojë përkrahjen e nevojshme në Komitet të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë kanë thënë se Austria është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Gjithashtu Vjena zyrtare thekson se e inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa vendimtar për themelimin e Asociacionit, që në mënyrë të sigurt të arrijë shumicën e nevojshme në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Austria si një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne inkurajojmë fuqimisht qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime vendimtare në themelimin e ASMM (Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe) për të arritur në mënyrë të sigurt shumicën e nevojshme në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë.

Hapa për themelimin e Asociacionit në këmbim të përkrahjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës kanë kërkuar edhe Gjermania, Franca dhe Italia.

Këto shtete, po kërkojnë që Qeveria e Kosovës të dërgojë për verifikim në Gjykatë Kushtetuese Draftin e BE-së, hap ky që konsiderojnë se do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës ndaj komuniteteve pakicë./gazetaexpress