Andin Lokaj, komentatori i sportit ka folur sërish për komentimin e tij në ndeshjen Juventus – Inter, ku ai e quajti “hajvan” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Lokaj sot u paraqit para Komisionit Disiplinor të ArtMotion, kompanisë ku ai punon, shkak i komentit të tij, shkruan GazetaBlic Sport.
Andin Lokaj thotë se pranon çfarëdo lloj vendimi, por thotë se do ta bënte sërish po t’i vinte mundësia, teksa pranon se meshazi i tij ka pasur synim unifikimin, e jo përçarjen.
“Ishte një procedurë e zakonshme, e dashë deklaratën time dhe thashë se e pranoj çfarëdo lloj vendimi nga Komisioni Disiplinor. Ka qenë me vetëdije të plotë, nuk kam kurgjë kundër kryeministrit as kërkujt, njerëzit më njohin çfare jam, kam shokë nga gjitha partitë, veç që ka qenë mesazhi i krejt kësaj, pra unifikimi, jo përçarja, atë që ai e tha gjatë fushatës, një deklaratë e pamatur, i pamatur isha edhe unë në komentim, e pranoj këtë”, tha Andin Lokaj për Nacionale.
“Do ta bëja prap, kjo s’ka të bëjë asgjë negative, është veç pozitive, sepse është thirrje për unifikim, me plot shpirt e kam thënë këtë, njerëzit e kanë marrë në kontekst ndryshe, i kuptoj edhe fyerjet në drejtim timin, unë kam bërë diçka pozitive, për këtë vend që e dua shumë dhe të unifikuar”, vazhdoi ai.
“Kam pas përkrahje shumë, por s’jam kundër asnjë komenti dhe s’më mbet hatri. E kam bërë më të mirën, dua unifikim, jo përçarje”, përfundoi ai ndër të tjerash.
/GazetaBlic Sport


