Lajme

Andin Hoti: Serbia po bën lojë politike me fatin e të pagjeturve

08/30/2023 15:17
nga:N K

Në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur, për Gazeta Blic ka folur Andin Hoti, kryetari i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, ku ka thënë se Serbia po bën lojë politike me fatin e të pagjeturve.

Ai ka thënë se brenda këtij viti janë gërmuar tetë lokacione dhe janë gjetur pesë mostra të eshrave të të pagjeturve dhe nëntë persona janë identifikuar nga këto gërmime.

“Siç e dini sot është data 30 gusht, dita ndërkombëtare e personave të zhdukur, ku e kemi pas një takim sensibilizues, ku pata rastin me i njoftu shoqatat për punën dhe aktivitetet që i ka komisioni qeveritar per personat e zhdukur , brenda këtij viti ne kemi qenë në gërmime në tetë lokacione në territorin e Kosovës, pesë mostra të eshrave të personave të zhdukur që janë gjetur në këto lokacione, ndërkaq nëntë persona janë identifku këtë vit dhe 22 dorzime kanë qenë vitin e kaluar”, tha ai.

Hoti ka theksuar se Serbia çdo ditë e më shumë po bëhet problematike në këtë drejtim dhe se sipas tij po bën lojë politike si dhe nuk po jep informacione pavarësisht deklaratës së 5 majit ku Kosova dhe Serbia detyrohen të bejnë një gjë të tillë.

“Ne vazhdimsi po bëjmë presion dhe po presim prej Bashkësis ndërkombëtare që të luaj rolin e vet atë që e ka premtu sepse në fakt bashkimi europian tash është përmes komisionit të përbashkët është udhëheqës i komisionit të përbashkët që të luaj rolin e vet në zbatim të deklaratës dhe ta sheh drejtëpërdrejt sepse ajo e ka pa gjithmon, por ta sheh drejtëpërdrejtë mosbashkpunimin e Serbisë ne këtë fushë”, ka thënë tutje Andin Hoti.

Sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar, Serbia është fajtorje e vetme në mos zbardhjen e këtyre rasteve.

“Serbia është fajtori i vetëm që i ka bërë këto krime, ne e dimë që në vitet 98-99 Serbia me ushtrinë e vet me policinë e vet dhe me strukturat e tjera kriminale i ka kidnapu i ka marrë dhunshëm këta persona dhe i ka zhduk edhe në fatin e këtyre personave, natyrisht është fajtorja e vetme në këtë fushë serbia jo vetëm që është fajtore por Serbia është autoriteti i vetëm që i ka këto informacione vetëm prej Serbisë ne mund ti marrim”.

Sa i përket për qeverinë e Kosovës, ka thënë se gjithmonë ka qenë e gatshme dhe vazhdon të jetë për zbardhjen e këtyre rasteve.

Hoti ka thënë se kanë dyshime se Serbia po fsheh informacione për disa varreza masive në territorin e Serbisë.

“Ne kemi informacione, kemi dyshime që në territor të Serbisë kemi ende varreza masive për të cilat ata po hezitojnë me dhënë informata”, tha ai.

Ndër të tjera ka potencuar se për shkak të zhvillimeve në veri, Bashkësia Europiana e ka ndërruar fokusin nga personat e pagjetur.

“Nuk është duke u bërë mjaftueshëm, unë në këtë rast jam edhe familjar i personave të zhdukur dhe shembull po ua jap me 5 maj është arrit deklarata për personat e zhdukur dhe brenda 40 ditëve kemi pas me e themelu komisionin e përbashkët që udhëheqet prej BE-së, për shkak të një ngjarje tjetër që ndodhi në veri të Kosovës, BE-ja fokusin e ndrroj komplet prej personave të zhdukur e tërheku diku tjetër”, tha Hoti.

Gjithashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës po bën aq sa ka mundësi.

“Kur themi a po bëhet mjaftueshëm për çështjen e përsonave të zhdukur, unë them jo mirëpo a po bëhet me kapacitetet e Republikës së Kosovës, po, ne nuk kemi kapacitete më shumë për të marrë informacione nga Serbia, unë prap po e përsëris që është imediate, është koha e fundit ku bashkësia ndërkombëtare me ndërhy në Serbi dhe duhet me na dhënë këto informacione që ne po i kërkojmë”, tha Andin Hoti për Gazeta Blic.