Real Madrid mundi Chelsean 2:0 në ndeshjen e parë të çerekfinales në Madrid. Golashënues ishin Karim Benzema në minutën e 22-të dhe Marco Asensio në minutën e 75-të. Chelsea luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 59-të, pasi Ben Chilwell u përjashtua për një faull kur ai ishte lojtari i fundit në mbrojtje.
Reali me këtë fitore iu afrua një hap tjetër në gjysmëfinale të Champions League, përcjell GazetaBlic Sport.
“Asgjë nuk ka përfunduar ende. Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe t’i bëjmë të gjitha përsëri në Stamford Bridge. Në Londër na presin 90 minuta të vështira. Le ta harrojmë këtë rezultat, duhet të luftojmë javën tjetër. Jam i kënaqur, por mund të jemi edhe më mirë. Ne ishim pak të lodhur në pjesën e dytë”, tha Ancelotti pas ndeshjes.
“Vinicius luajti në mënyrë fantastike, por një lojtar ishte edhe më i mirë. Sipas mendimit tim, Fede Valverde ishte lojtari më i mirë në fushë. Militao dhe Alaba ishin shumë të mirë. Ata ishin vazhdimisht me Sterling dhe Joao Felix dhe bënë një lojë të mirë”, përfundoi Ancelotti.
/GazetaBlic Sport


